RTSH 24 Live

Botë

Irani: Nëse Izraeli na sulmon do i përgjigjemi më ashpër se kurrë

17/04/2024

Irani: Nëse Izraeli na sulmon do i përgjigjemi më ashpër se kurrë

Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi ka paralajmëruar Izraelin se çdo sulm që do të ndërmerret ndaj vendit të tij, do t’i përgjigjet me ashpërsi.

Gjatë fjalës së tij në paradën vjetore të ushtrisë në Teheran, pranë mauzoleumit të Ruhollah Khomeinit, Raisi tha se sulmi i fundjavës ndaj Izraelit ishte i kufizuar dhe ndëshkues, ndërsa tha se nëse Irani kishte kryer një operacion më të fortë, asgjë nuk do të kishte mbetur në Izrael.

Forcat tona të armatosura po garantojnë sigurinë dhe paqen dhe vendosin sovranitet në të gjithë rajonin dhe janë plotësisht të besueshme”, shtoi Raisi.

Ndërkaq, nga ana tjetër, Izraeli po peshon se si do t'i përgjigjet sulmit të fundjavës.

Kabineti i luftës i Izraelit u mblodh për herë të pestë të martën për të diskutuar mbi reagimin e mundshëm  ndaj sulmit të Iranit, por nuk arriti në një përfundim.

Shtetet e Bashkuara presin që përgjigja ushtarake e Izraelit ndaj sulmeve të Iranit do të jetë e kufizuar në shtrirje.

Izraeli nuk i ka bërë të ditur SHBA-ve se cilat mund të jenë planet e tyre dhe kur mund të ndodhin, tha zyrtari i lartë i administratës.

/rtsh.al/