RTSH 24 Live

Politikë

Ilir Meta u la në burg, Blushi: Sot ra shteti ligjor

2 orë para

Ilir Meta u la në burg, Blushi: Sot ra shteti ligjor

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka deklaruar se lënia në arrest me burg e Ilir Metës është bërë pa prova dhe fakte.

Në një konferencë për shtyp, Blushi tha se vendimi i sotëm ndaj Ilir Metës tregon rënien totale të shtetit ligjor.  

Vendimi i sotëm politik i kamikazëve të Ramaformës në GJKKO apo Gjykatën Kombëtare Kundër Opozitës, për të lënë në arrest me burg politik, pa prova, pa fakte dhe pa dëshmi, Presidentin e Partisë së Lirisë, z.Ilir Meta, i diktuar nga mafia ndërkombëtare antishqiptare dhe i urdhëruar personalisht nga Edi Rama është një akt shumë i rëndë që konfirmon rënien totale të shtetit ligjor, kapjen për fyti dhe asgjesimin e drejtësisë të vendosur totalisht në shërbim të Narkoshtetit dhe axhendave personale, politike dhe elektorale të Edi Ramës”, u shpreh Blushi.

Sipas Blushit lënia në burg e Ilir Metës është “vijim i agresionit të pastër terrorist të Narkoshtetit dhe mafias ndërkombëtare kundër Presidentit z.Ilir Meta, Partisë së Lirisë, opozitarizmit të vërtetë, pluralizimit politik dhe demokracisë, që u konsumua sot edhe në sallën e gjyqit nga terroristi Alti Dumani, prokurori Kallp dhe ish-hetuesi i komunizmit, Arben Kraja”

Blushi vuri në dukje se nga sot Ilir Meta është burgosur politik.

Presidenti i Partisë së Lirisë, z.Ilir Meta është sot i burgosur politik vetëm për shkak të qëndrimeve të tij shumë të drejta, të qarta, të vendosura dhe parimore institucionale, politike, patriotike dhe qytetare në mbrojtje të interesit kombëtar dhe sovranitetit të Republikës së Shqipërisë, të shtetit ligjor, të çështjes së Detit dhe të mbrojtjes së pakompromis të kufijve të Kosovës, kundër “Ballkanit të Hapur”, si dhe për shkak të denoncimit të vendosur dhe të pakompromis, me guxim dhe kurajë, të inkriminimit dhe korrupsionit skizofrenik të Edi Ramës, Narkoshtetit dhe Narkodrejtësisë”, theksoi më tej Blushi.

Ai shtoi se Partia e Lirisë e vendosur të intensifikojë aksionin e saj politik dhe në terren për “denoncimin e krimeve dhe korrupsionit skizofrenik të Narkoshtetit, për t’i ofruar një alternativë mirëqeverisjeje, të drejtë e humane të gjithë shqiptarëve nëpërmjet 5 Prioriteteve të saj për 4 milion shqiptarë plus”.

/rtsh.al/