RTSH 24 Live

Aktualitet

Ilir Meta thirrje qytetarëve për protestë para Kryeministrisë

08/02/2025

Ilir Meta thirrje qytetarëve për protestë para Kryeministrisë

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën që do të organizohet sot në orën 17:00 përpara Kryeministrisë. Në një mesazh të publikuar në rrjetin e tij social Facebook, Meta i ka ftuar qytetarët të bashkohen në këtë aktivitet për të shprehur shqetësimet e tyre dhe kërkesat për ndryshime.

Të dashur shqiptarë të ndershëm dhe patriotë, Ju ftoj të gjithëve të bashkohemi sot, në ora 17:00 në protestën kombëtare kundër Narkoshtetit, armikut më të egër të lirive dhe të drejtave tuaja, që ka vjedhur në mënyrë të pamëshirë dhe ka përzënë nga vendi përmes një agjende antikombëtare shpopullimi mbi 1 milion shqiptarë. Të rinjtë dhe të rejat, që ky regjim mizor u ka vrarë shpresat dhe u ka vjedhur ëndrrat do të jenë sot në këmbë!

Sot është dita të protestojmë për mos zbardhjen e vrasjes së 18-vjeçarit Martin Cani, ëndrrat e të cilit u këputën në oborrin e shkollës “Fan Noli” në zemër të Tiranës, në mënyrë që të mos kemi të tilla tragjedi në të ardhmen dhe fëmijët tanë të rriten jo vetëm të mirë arsimuar por edhe të sigurt në Atdheun e tyre.

Pensionistët, që aq shumë kanë kontribuar për vendin dhe që sot janë më të varfër se në 2013, të vjedhur, të përbuzur dhe të përjashtuar kanë shumë arsye pse do të bashkohen sonte me ne.

Fermerët shqiptarë, nga Kardhiqi ku protestojnë tani dhe deri në Vermosh, që mundin dhe sakrificat i hedhin në kanal, fondet e të cilëve përfundojnë te inceneratorët që nuk ekzistojnë, do të protestojnë sot me ne edhe për shfarosjen blegtorisë edhe për shkretimin e bujqësisë.

Mësuesit, pedagogët, mjekët e infermierët, me pagat më mizerabël në rajon do të bashkohet me ne!

Protestojmë sot për të shpëtuar Atdheun nga zhbërja, për të shpëtuar familjen shqiptare dhe fjalët e shenjta Nënë dhe Babë nga “Prindi 1” dhe “Prindi 2”, për t'u mobilizuar për largimin e Kryetarit të Organizatës që për të vjedhur pushtet shet sovranitet, për t'i dhënë fund modelit të narkoekonomisë bazuar në pasurimin e një pakice nëpërmjet industrisë së pastrimit të parave dhe për t'i hapur rrugën një modeli të ri ekonomik që mbështet prodhuesit vendas dhe e shndërron Shqipërinë në fuqi eksportuese në rajon. Protestojmë sot për të rikthyer qetësinë në familjet shqiptare, qetësi që është kërcënuar rëndë nga rrugaçëria e mbrojtur nga Narkoqeveria.

Protestojmë për votën e lirë dhe pa kërcënimet e narkopatronazhistëve dhe Narkoqeverisë. Protestojmë për jetën dhe shëndetin e kërcënuar nga betoni i kullave. E gjithë Shqipëria do të jetë sot në këmbë deri në largimin përfundimtar të këtij regjimi mafioz dhe të korruptuar në çdo qelizë”, shkruan Meta.

/rtsh.al/