Në pikën e përbashkët kufitare të Morinit, mëngjesi i kësaj të shtune ka nisur me fluks të lartë lëvizjeje nga Kosova drejt Shqipërisë, por edhe në drejtim të kundërt.
Një pjesë e madhe e qytetarëve po udhëtojnë për të kaluar fundjavën në disa prej qyteteve të njohura dhe pikave turistike në Shqipëri.
Fluksi më i lartë i lëvizjeve u shënua nga ora 7 deri në orën 10 të paradites.
Sipas informacioneve nga policia kufitare, vetëm në këto tri ore kanë hyrë në Shqipëri nga pika kufitare e Morinit më shume së 5.600 shtetas shqiptarë e të huaj me rreth 2.200 automjete.
Ndërsa përgjatë 24 orëve, numri i shtetasve që kanë hyrë në Shqipëri përmes pikës kufitare të Morinit i kalon 18 mijë.
E njëjta shifër pothuajse është regjistruar edhe nga Shqipëria drejt Kosovës.
Shumë qytetarë të Shqipërisë, me grupe të organizuara, u drejtohen pikave turistike dimërore të Kosovës për të kaluar fundjavën. Më të preferuarat mbeten Prevalla, Brezovica, Boga dhe Rugova.
Policitë kufitare të Shqipërisë dhe Kosovës punuan me procedurën e thjeshtëzuar të kalimit të kufirit pa kontrolle për automjetet me targa të Kosovës dhe Shqipërisë.
Në fakt kjo procedurë deri më 1 mars vlen vetëm për fundjavat, ndërsa nga muaji mars e për periudhën 9-mujore hyn në fuqi procedura e kalimit të kufirit pa kontrolle për çdo ditë të javës për të shmangur kolonat e gjata në kufi dhe qëndrimet e panevojshme.
Kjo procedure u aplikua me kohëzgjatje që në sezonin veror të vitit të shkuar si pjesë e marrëveshjeve të përbashkëta ndërqeveritare të miratuara në mbledhjet e dy qeverive, por edhe në takimet e ministrave të Brendshëm të dy shteteve.
Kjo procedure, që ishte e vlefshme vetëm për pikën kufitare të Morinit, u shtri edhe në pikat e tjera të kalimit të kufirit mes Shqipërisë e Kosovës, Qafë-Morinë të Tropojës, Qafë-Prush të Hasit, Shishtavec e Borje të Kukësit.
Po në vitin 2024 hyri në fuqi zbatimi i marrëveshjes për lehtësira për banorët në fshatrat ndërkufitare me 22 vendkalime të përbashkëta.
Gazetar: Bujar Muçmata
/rtsh.al/