Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mesditën e të dielës në fshatin Shënkoll të Lezhës. Ndërhyrja në kohë e policisë bëri të mundur parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit me armë, që mund të kishte pasoja edhe për jetën.
Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit pistoletë dhe dy gëzhoja. Personi i dyshuar për këtë ngjarje është Danjel Nikolli. Ai tentoi të vriste me armë zjarri për motive të dobëta një 33 vjeçar, por ndërhyrja në kohë e policisë e vuri atë në pranga.
“Salla Operative e Drejtorisë vendore të Policisë Lezhë, mori njoftim se në fshatin Shënkoll, Lezhë, po ndodhte një konflikt mes dy personave. Me marrjen e njoftimit shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë ku falë reagimit në kohë kanë parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit me armë zjarri. Shërbimet e Policisë kanë kapur dhe vënë në pranga për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, shtetasin D. N., 32 vjeç, banues në Shënkoll, Lezhë. Ky shtetas për motive të dobëta është konfliktuar fizikisht me shtetasin E.T dhe më pas ka qëlluar dy herë me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit E,T për ta vrarë. Shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit dhe dy gëzhoja.”, njofton policia.
/rtsh.al/