RTSH 24 Live

Aktualitet

Komisioni i Medies nis procedurën për shkarkimin e Këshillit Drejtues të RTSH

13 orë para

Komisioni i Medies nis procedurën për shkarkimin e Këshillit Drejtues të RTSH

Në Komisionin parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, mazhoranca dhe opozita vendosën që të nisin procedurat e shkarkimit të nëntë anëtarëve të mbetur të Këshillit Drejtues të RTSH, pas dorëheqjeve të Gëzim Podgoricës dhe Genc Përmetit.

"Propozojmë 2 relatorë për këtë proces: një nga mazhoranca dhe një nga opozita, sipas nenit 115 të Rregullores së Kuvendit. Të gjithë dakord: kundër s'ka, abstenim nuk ka. Me vendimmarrje unanime të komisionit t Edkuimit dhe Mjeteve të informimit Publik, që nga sot nisim procedurën e shkarkimit të 9 anëtarëve të këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar, ku 8 janë anëtarë dhe një është kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH," deklaroi kryetarja e Komisionit, Ina Zhupa.

Të njëjtin qëndrim mbajti edhe nënkryetarja e Komisionit Evis Kushi.

"Është një qëndrim i cili nuk bazohet vetëm në një ngjarje apo periudhë të caktuar, por është një qëndrim i konsoliduar, sepse merr në konsideratë të gjithë vlerësimin e punës së Radio Televizionit Shqiptar në këto vite dhe bazohet në të gjitha argumentet, faktet, provat," tha znj. Kushi.

Duke e konsideruar një vendim të drejtë shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të RTSH-së, deputeti socialist Petro Koçi propozoi ndryshim të formulës për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj.

"Formula politike është e meta kryesore. Duhet të ndryshohet formula politike. Ky Këshill e ka mbaruar mandatin e vet moral," u shpreh z. Koçi.

Këtë të martë, duke nisur nga ora 10:00 e paradites, Komisioni do u japë mundësinë 9 anëtarëve të Këshillit të RTSH-së për t’u shprehur në një seancë të gjatë dëgjimore.

/rtsh.al/