Tre punonjës të Policisë së Shtetit po marrin trajtim spitalor si pasojë e lëndimeve të marra gjatë protestës së thirrur pasditen e së shtunës nga Partia Demokratike para Kryeministrisë.
Policia njoftoi se efektivët u dëmtuan si pasojë e hedhjes së lëndëve piroteknike drejt punonjësve të vendosur me shërbim para selisë qeveritare.
Një efektive mësohet se pësoi dëmtime në sy, ndërsa dy punonjës të tjerë kanë pësuar lëndime në fytyrë dhe dorë. Ata u vizituan në ambientet e spitalit nga drejtori i DVP Tiranë, Elton Alushi, dhe zëvendësdrejtori i Rendit.
"Ndërkohë, shërbimet e Policisë së Shtetit po grumbullojnë të gjitha provat dhe pamjet filmike, për të identifikuar dhe përballur me drejtësinë autorët që dëmtuan punonjësit e Policisë, të planëzuar sipas planit të masave për mbarëvajtjen e tubimit të opozitës," njoftoi Policia e Shtetit.
/rtsh.al/