RTSH 24 Live

Aktualitet

Ilaçi kundër Covid-19, kompania Merck kërkon autorizimin e FDA

12/10/2021

Ilaçi kundër Covid-19, kompania Merck kërkon autorizimin e FDA

Një hap i rëndësishëm në luftën kundër Covid-19. Kompania farmaceutike Merck kërkoi autorizimin e Agjensisë Rregullatore Amerikane për përdorimin emergjent të ilaçit të saj, për trajtimin e Covid-19. 

Dr. Megan Ranney, profesor në Universitetin Shëndetësor të Brown, tha: “Të kesh një pilulë të cilën mund ta marrësh në shtëpi, kur je i rrezikuar nga Covid-19, është një mundësi e jashtëzakonshme. Ky është mjeti që na kishte munguar deri tani”. 

Nëse Administrata e Ushqimit dhe Barnave do të jape dritën jeshile, bota do të kishte një armë të re në formë pilule për luftimin e sëmundjes. Të gjitha trajtimet e tjera të mbështetura nga FDA-ja kundër COVID-19 jepen në rrugë intravenoze. Një pilulë antivirale që njerëzit do të mund ta marrin në shtëpi për të reduktuar simptomat dhe për të përshpejtuar rikuperimin do të lehtësonte ngarkesën në spitale. 

Dr. Jonathan Reiner, profesor në Universitetin George Washington, theksoi: “Do të mund të këshillojmë marrjen e këtij ilaçi përgjatë 5 ditëve dhe me shpresë se pacientët do të qëndrojnë në shtëpi, larg spitalit. Është një lajm shumë premtues”. 

FDA-ja do të shqyrtojë të dhënat e kompanisë për sigurinë dhe efektshmërinë e ilaçit të quajtur molnupiravir, përpara se të marrë një vendim brenda disa javësh. Rregullatori europian, EMA, ka thënë se do të konsiderojë gjatë ditëve në vazhdim nëse do të nisë shqyrtimin e të dhënave të ilaçit eksperimental të Merck.

Të dhënat e testeve klinike sugjeruan se molnupiravir reduktonte me 50% mundësinë e hospitalizmit dhe vdekjes për personat e rrezikuar nga forma e rëndë e Covid-19. /A2