RTSH 24 Live

Aktualitet

Ikën shefi i “OpenAI”, shqiptarja Mira Murati merr drejtimin e kompanisë së inteligjecës artificiale

18/11/2023

Ikën shefi i “OpenAI”, shqiptarja Mira Murati merr drejtimin e kompanisë së inteligjecës artificiale

Bordi i kompanisë “OpenAI”, që prodhon programin e inteligjencës artificiale Çatxhipiti njoftoi të premten se largoi bashkëthemeluesin dhe njëkohësisht drejtorin ekzekutiv Sam Altman. Në vend të tij përkohësisht emëroi drejtuesen teknologjike të kësaj kompanie, shqiptaren Mira Murati.

Ajo është anëtare e ekipit drejtues të “OpenAI” prej 5 vitesh dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e saj.  Ka aftësi unike në të kuptuarit e vlerave, operacioneve dhe biznesit të kompanisë ndërkohë që drejton funksionet e kërkimit, produktit dhe sigurisë së saj. Duke pasur parasysh kohën e gjatë dhe angazhimin e ngushtë në të gjitha aspektet e kompanisë, përfshirë përvojën e saj në qeverisjen dhe politikën e Inteligjencës Artificiale, bordi beson se është e kualifikuar për këtë rol ndërkohë që kompania po kërkon një drejtues të përhershëm”, thotë kompania në deklaratën e saj.

Duke shprehur mirënjohje për kontributin e Sem Altmen, Bordi i “OpenAI” tha se ishte i nevojshëm një lidershipi ri, pasi nga një proces shqyrtimi u zbulua se nuk është treguar gjithnjë i sinqertë në komunikimin me të. Ndërsa vetë Sem Altman reagoi duke vlerësuar periudhën në drejtimin e kompanisë dhe stafin me të cilin punoi “Për mua personalisht ishte transformuese dhe shpresoj disi edhe për botën. Do të kem më shumë për të thënë për ato çfarë do të vijnë më pas”, u shpreh ai.

Pas largimit të Altman edhe kryetari i bordit të kompanisë Greg Brokmen njoftoi largimin nga posti. “OpenAI” u themelua si një organizatë jofitimprurëse në vitin 2015 me misionin kryesor për të siguruar që nga inteligjenca artificiale të përfitojnë të gjithë njerëzit.

/rtsh/