Merr fund arratia e 30-vjeçarit Edison Pula. Ky i fundit ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për disa vepra të rënda penale, ndërsa u arrestua në Luksemburg në kuadër të operacionit të koduar “Together”.
Pula akuzohet për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Vjedhja me dhunë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Vjedhja” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
“Finalizohet një tjetër operacion, në koordinim me partnerët, për kapjen e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht. Operacioni “Together”, në pranga 1 shtetas i dënuar me 14 vjet burgim, për disa vepra penale të rënda, dhe 1 shtetas i akuzuar nga autoritetet franceze.
Si rezultat i sigurimit të informacioneve nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale (FAST Albania), mbi vendndodhjen e një shtetasi të dënuar në Shqipëri, për disa vepra penale të rënda, si dhe i shkëmbimit të këtyre informacioneve me homologët e FAST Luksemburgut, nëpërmjet koordinimit të rrjetit ENFAST, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Together”.
Si rezultat i këtij operacioni, u lokalizua dhe u vu në pranga shtetasi Edison Pula, 30 vjeç, i lindur në Krujë, i dënuar me 14 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Vjedhja me dhunë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Vjedhja” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit””, thuhet në njoftim.
Edison Pula është emër jo pak i njohur edhe për drejtësinë shqiptare, ndërsa në vitin 2017 ai arriti t’i shpëtonte nga duart edhe policëve në Komisariatin e Krujës. Pula mundi të arratisej në momentin që zbriti nga furgoni i policisë dhe po futej në dhomën e izolimit. Ai shtyu policët dhe më pas kapërceu murin rrethues.
Ai ka qenë i dënuar për vrasje e mbetur në tentativë, vendosje eksplozivi dhe vjedhje me dhunë si dhe për atentatin e mbetur në tentativë ndaj mikut të Enver Stafukës, Gentjan Bejtja.
/rtsh.al/