RTSH 24 Live

Aktualitet

Hyseni: SHISH, rritje të bashkëpunimit me SPAK dhe policinë

17/07/2024

Hyseni: SHISH, rritje të bashkëpunimit me SPAK dhe policinë

Drejtoresha e Përgjithshme të Shërbimit Informativ Shtetëror Vlora Hyseni ka deklaruar se institucioni që ajo drejton ka “... rritur bashkëpunimin dhe mbështetjen informative për agjencitë ligjzbatuese  referuar kompetencës së tyre lëndore si me SPAK-un, BKH-në, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Prokurorinë e Përgjithshme dhe institucione të tjera”.

Deklaratën e saj zonja Hyseni e bëri gjatë një seance dëgjimore në Komisionin për Sigurinë Kombëtare në parlamentin shqiptar. 

Pjesa kryesore raportimit u zhvillua pa praninë e mediave. Në një raportim të shkurtër të hapur për publikun, zonja Hyseni u shpreh se, “SHISH ka fokusuar veprimtarinë informative operative në përmbushje të misioneve dhe detyrave ligjore dhe prioriteteve për vitin 2023. Kontributi informativ ka qenë dinamik vlerësues dhe paralajmërues në nivelin strategjik për çështje të sigurisë kombëtare dhe asaj ndërkombëtare. Ishte dhe konkret dhe i dobishëm përkundrejt me agjencitë ligjzbatuese”, tha ajo.

“Referuar bashkëpunimit dhe informacionit të SHISH janë realizuar kundërvënie konkrete ndaj veprimtarive të jashtëligjshme si brenda dhe jashtë vendit. Kryesisht jemi fokusuar në operacionet që kanë të bëjnë me krimin e organizuar, antiterrorin kundërspiunazhin ku përfshihet kundërvënia ndaj aktiviteteve të shërbimeve të inteligjencës ruse, serbe dhe shteteve të tjera me qëllime armiqësore në raport me Shqipërinë”, u shpreh Hyseni.

“Sa i përket deklaratave të ndryshme në media dhe akuzave komplet të pabaza në drejtim të shërbimit, mendoj që duhet të jemi të rezervuar dhe të kemi fakte dhe prova kur akuzojmë për ndonjë aktivitet, apo për ndonjë takim të dyshimtë të drejtorit të shërbimit”, tha Drejtoresha e Përgjithshme të Shërbimit Informativ Shtetëror Vlora Hyseni.

/ rtsh.al /