RTSH 24 Live

Aktualitet

Fluks i lartë i udhëtarëve, TIA: Mbërrini të paktën 3 orë para orarit të fluturimit në aeroport

28/08/2024

Fluks i lartë i udhëtarëve, TIA: Mbërrini të paktën 3 orë para orarit të fluturimit në aeroport

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës u bëri thirrje pasagjerëve të jenë në aeroport të paktën 3 orë para orarit së fluturimit.

Sipas TIA-s, kjo për shkak të fluksit të lartë të pasagjerëve këtë sezon veror.

“Për të shmangur nxitimin e minutave të fundit dhe për t’u siguruar që keni kohë të mjaftueshme për check-in dhe kontrollin e sigurisë, ju rekomandojmë të mbërrini në aeroport të paktën 3 (tre) orë përpara orarit tuaj të fluturimit”, bëhet e ditur në një postim në rrjetet sociale të TIA-s.

TIA po ashtu u kërkon pasagjerëve të printojnë boarding pass. “Kjo do t’ju kursejë kohë dhe do të sigurojë një proces të qetë përmes pikave të kontrollit të aeroportit. Përndryshe do duhet të prisni hapjen e sportelit të check-in, për t’u pajisur me boarding pass”, këshillon TIA.

Për pasagjerët me bagazhe, TIA këshillon pasagjerët të informohen te sporteli i check-in, i cili zakonisht hapet 2 orë e 30 minuta para nisjes. 
TIA u kërkon gjithashtu pasagjerëve të qëndrojnë të përditësuar me çdo njoftim që ju vjen nga linja ajrore në lidhje me fluturimin e tyre.

Aeroporti “Nënë Tereza” ka patur një rritje të ndjeshme të numrit të pasagjerëve.

Vetëm në muajin korrik të këtij viti nga Aeroporti “Nënë Tereza” hynë 1.191.182 pasagjerë.

/ rtsh.al /