RTSH 24 Live

Aktualitet

Humb betejën me COVID-19 mjeku neurolog Drini Dobi

09/12/2020

Humb betejën me COVID-19 mjeku neurolog Drini Dobi
Drini Dobi

Mjeku neurolog Drini Dobi ndërroi jetë në një spital në Itali, ku po kurohej për COVID-19.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu shprehu dhimbjen e madhe, siç u shpreh ajo, në këto momente kaq të hidhura për të gjithë.

“Jam tej mase e pikëlluar për ndarjen nga jeta të një miku të mirë dhe një profesionisti të shkëlqyer, doktor Drini Dobit”, tha ajo.

Manastirliu tha se “kishim shpresuar shumë, deri në çastet e fundit, se Doktor Drini do t’ia dilte ta fitonte këtë betejë për jetën, ashtu siç ia kishte dalë me mijëra herë të fitonte betejat për pacientët e tij”.

“Dhimbja është e madhe në këto momente kaq të hidhura për të gjithë. Jam pranë Floridës, familjes dhe kolegëve të Doktor Drinit në këto momente. U prehsh në paqe Doktor Drini!”, tha Manastirliu.

Për lajmin e vdekjes së mjekut të njohur, reagoi edhe Universiteti i Mjekësisë i Tiranës.

“Dr. Drini Dobi nuk ka nevojë për një jetëshkrim. Dr. Drini Dobi është vetë jetëshkrimi. E ka shkruar jetën e tij përmes një lumi të rrjedhshëm, ku kridhen qindra jetë të shpëtuara dhe qindra shpirtra të shëruar”, shprehet Universiteti i Mjekësisë në reagim.
 
“Drini ishte i rrjedhshëm si Drini, në mirësinë e tij.
Drini ishte i rrjedhshëm si Drini, në profesionin e tij.
Mjafton të thuash Dr. Drini Dobi dhe ke thënë gjithçka.
 
Gjithçka thuhet për një njeri, tek i cili rrjedh natyrshëm dhe vrullshëm virtyti dhe profesionalizmi.
 
Rrjedha e Dr. Drini Dobit do t’u mungojë të gjithëve”, janë fjalët e ndjera të kolegëve të Universitetit.