Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas mirëpriti në muajin korrik një numër të lartë pasagjerësh duke thyer rekorde.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se rreth 1.2 milionë pasagjerë kanë ardhur në këtë aeroport ose 350 mijë më shumë se vitin e kaluar”.
“Aeroporti Nënë Tereza ofron një mirëseardhje të ngrohtë për bashkatdhetarët tanë dhe vizitorët e huaj e njëkohësisht vazhdon të thyejë rekorde të paimagjinueshme deri pak kohë më parë”, tha Kumbaro.
Në shtatë muajt e parë të vitit shifrat nga TIA tregojnë se janë gati 6 milionë pasagjerë që kanë mbërritur në vend, ndërsa numri i të huajve që kanë vizituar Shqipërinë është rritur me 157% në këtë periudhë.
Krahas rritjes së numrit të pasagjerëve, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës arriti një moment historik të ri operacional në korrik, duke procesuar 126 fluturime në mbërritje dhe 126 në nisje brenda një dite, duke numëruar gjithsej 252 fluturime, numri më i lartë i regjistruar deri më sot.
Gjatë këtij viti pritet që numri i pasagjerëve të shkojë 8.4 milionë.
Në janar të këtij viti ka nisur puna për zgjerimin e pistës në aeroportin e Rinasit, për të mundësuar fluturime transoqeanike.
Parashikohet që në 3-mujorin e parë të vitit 2025 të nisin fluturimet Tiranë – Nju-Jork.
/ rtsh.al /