RTSH 24 Live

Aktualitet

Hetimet për Gërdecin, Shkëlzen Berisha 60 minuta në SPAK: S’kam asnjë lidhje, prokuroria të hetojë kaligrafinë e faksit të Bumçit

26/01/2023

Hetimet për Gërdecin, Shkëlzen Berisha 60 minuta në SPAK: S’kam asnjë lidhje, prokuroria të hetojë kaligrafinë e faksit të Bumçit

Djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha është paraqitur ditën e sotme (26 janar) në Prokurorinë e Posaçme Anti-Korrupsion.

Hetimet për Gërdecin, ku emri i Shkëlzen Berishës është i përfshirë, kanë qenë edhe arsyeja e mbërritjes së tij në SPAK. Shkëlzen Berisha është marrë në pyetje për 60 minuta nga prokurori i çështjes së Gërdecit, Klodian Braho.

Shkëlzen Berisha tha se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen dhe se prokuroria duhet të hetojë kaligrafinë e faksit të Bumçit.

 “Më bën përshtypje fakti që e njëjta çështje para 15 vitesh nuk e ka parë të arsyeshme thirrjen time, sot mendojnë se unë mund të kem dijeni pas 15 vitesh. Prokuroria duhet të hetojë kush e ka bërë atë shënim. Nuk kam asnjë lidhje me këtë çështje. Mendoj që prokuroria duhet të thotë e kujt është kaligrafia nëse nuk është falsifikim sepse në origjinalin e faxit nuk ekziston”, tha Shkëlzen Berisha.

Lidhur me hetimet për Gërdecin janë marrë në pyetje edhe ish ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe ish ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, të dy në kohën kur qeveriste Sali Berisha.

Bumçi është pyetur edhe për shkresën zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, në cep të së cilës shkruhej “për Shkëlzen Berishën”, për të cilën tha se nuk e kishte shkruar ai atë shkresë dhe se ajo ishte e falsifikuar.

/rtsh.al/