RTSH 24 Live

Aktualitet

Hetimet për 21 janarin, ish-drejtuesi i Gardës, Ndrea Prendi dëshmon për 3 orë në SPAK

23/07/2024

Hetimet për 21 janarin, ish-drejtuesi i Gardës, Ndrea Prendi dëshmon për 3 orë në SPAK

Ish-kreu i Gardës, Ndrea Prendi është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) këtë të martë (23 korrik). Predi ka dëshmuar për 3 orë, lidhur me ngjarjen e 21 janarit, ku gjatë një proteste të Partisë Socialiste, mbetën të vrarë katër protestues si dhe u plagosën disa të tjerë. Pas daljes nga SPAK, Prendi nuk dha shpjegime për mediat lidhur me atë se çfarë u pyet.

SPAK ka marrë në dorë çështjen e 21 janarit, ndërsa po heton për vepra të rënda penale si “vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, “shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim.

Një ditë më parë, në SPAK dëshmuan Rajmonda Nika, bashkëshortja e protestuesit të vrarë, Aleks Nika dhe xhaxhai i të ndjerit. Pas 3 orësh dëshmi, Rajmonda Nika tha për mediat se kishte dhënë detaje të reja mbi ngjarjen, ndërsa lidhur me pretendimet se disponon një  kasetë audio të Prendit duke urdhëruar që të qëllohet ndaj protestuesve, ajo u shpreh se do ta dorëzojë në SPAK në një moment tjetër.

Drejtësia shqiptare ka dhënë 4 vite burg në total për katër jetët e ndërprera në mes në demonstratën e 21 janarit. Hetimi i ngjarjes çoi si të pandehur dy gardistë për vrasjen e Ziver Veizit dhe Faik Myrtajt, por la pa autor vrasjen e Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës.

Gjykimi i dy ish-gardistëve, Agim Llupo dhe Ndrea Prendi nisi në maj 2012. Prokurorët kërkuan 23 vjet burg për Prendin dhe 25 vite për Llupon. Argumentet e prokurorisë nuk bindën gjykatën dhe në shkurt 2013 Ndreu e Llupo u zhveshën nga akuza e “vrasjes” dhe u shpallën të pafajshëm.

Për vrasjen e Aleks Nikës, hetimi nuk zbuloi asnjë autor të dyshuar.

Pas shtatë muajsh, tre gjyqtarët e Apelit prishën vendimin e Shkallës së Parë, duke ndryshuar kualifikimin e veprës penale që u rëndonte të akuzuarve. Nga akuza për “vrasje me dashje”, Ndrea Prendi u fajësua për “vrasje nga pakujdesia” të Faik Myrtajt dhe u dënua me 1 vit burg. Për Agim Llupon Apeli dha 3 vjet burg për “vrasje nga pakujdesia” të Ziver Veizit. Pas mbetjes pa autor të vrasjes së Aleks Nikës, Apeli i Tiranës la pa autor edhe vrasjen e Hekuran Dedës. 

/rtsh.al/