RTSH 24 Live

Aktualitet

Mitropolitët e Korçës dhe Amantias vizitojnë në spital kryepeshkopin Anastas

11 orë para

Mitropolitët e Korçës dhe Amantias vizitojnë në spital kryepeshkopin Anastas

Mitropolitët e Korçës, Hirësi Joani, dhe i Amantias, Hirësi Nathanaili, zhvilluan një vizitë në Spitalin "Evangjelizmos" në Athinë, ku ndodhet i shtruar në gjendje kritike kryepeshkopi i Shqipërisë, imzot Anastas, që prej 3 janarit.

Hirësitë e tyre u takuan me Anastasia Kotanidu, Doktoreshë e Pneumonologjisë dhe Drejtore e Njësisë së Terapisë Intensive të spitalit, për të shprehur interesimin e Sinodit të Shenjtë të Kishës sonë për ecurinë e Fortlumturisë, si dhe falënderim dhe mirënjohje për gjithë kujdesin dhe dashurinë e treguar për të. Njëherësh, përcollën lutjet e mbarë popullit shqiptar ortodoks për kryepeshkopin Anastas por edhe për stafin mjekësor, që me integritet dhe profesionalizëm vazhdojnë përpjekjet për rehabilitimin e shëndetit të tij, pavarësisht faktorëve rëndues.

Gjatë vizitës në spital, mitropolitët e Korçës dhe Amantias u takuan edhe me Episkopin e Krujës, Hirësi Anastasin, Atë Spiridhonin dhe Atë Harallambin, të cilët shoqërojnë kryepeshkopin, duke u shprehur atyre solidaritet shpirtëror.

Me rastin e qëndrimit në Athinë, kryepriftërinjtë kryen vizitë edhe tek kryepeshkopi i Athinës dhe i gjithë Greqisë, Imzot Jeronimi, i cili që në ditët e para vizitoi në spital kryepeshkopin Anastas, dhe ndjek në vazhdimësi ecurinë e shëndetit të tij.

“I shprehën mirënjohje dhe për të gjithë dashurinë e grigjës së Kishës së Greqisë për Kryepeshkopin Anastas, të shprehur nëpërmjet lutjeve të tyre të vazhdueshme”, thuhet në njoftimin e Mitropolisë së Korçës dhe Amantias.

Prej 3 janarit, kryepeshkopi Anastas Janullatos, ndodhet i shtruar në një spital në Athinë, ku i është nënshtruar edhe në ndërhyrje kirurgjikale. Gjendja e tij shëndetësore vijon të jetë e qëndrueshme, por nën monitorim të mjekëve.

Në datën 30 dhjetor 2024, Kryepeshkopi Anastas u shtrua në një klinikë në Tiranë. Diagnoza fillestare ishte një virus sezonal, i cili me kalimin e ditëve u shndërrua në një infeksion i shoqëruar me gjakderdhje.

Gjatë qëndrimit të tij në spital, Kryepeshkopi Anastas u vizitua edhe nga Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, për t’u informuar mbi ecurinë e trajtimit të tij.

/rtsh.al/