RTSH 24 Live

Aktualitet

“21 Janari”, bashkëshortja e Aleks Nikës: Dhashë fakte të reja! Xhaxhai i tij: Përgjegjësi të kërkohet te Berisha e Basha

22/07/2024

“21 Janari”, bashkëshortja e Aleks Nikës: Dhashë fakte të reja! Xhaxhai i tij: Përgjegjësi të kërkohet te Berisha e Basha

Rajmonda Nika, bashkëshortja e protestuesit të vrarë Aleks Nika dhe Mark Nika, xhaxhai i të ndjerit, kanë qenë dy dëshmitë e para që SPAK ka mbledhur pas regjistrimit të hetimit për dosjen e “21 Janarit”.

Rajmod Nika ka dëshmuar për rreth tre orë para prokurorit të çështjes Alfred Shehu, ndërsa tha për mediat se "dha sqarime dhe disa fakte të reja lidhur me 21 janarin".

Duke shpresuar tek drejtësia, Rajmonda deklaroi se “kasetë audio ku ish-kreu i Gardës Ndrea Prendi jep urdhër që të qëllohet ndaj protestuesve do e dorëzojë një herë tjetër”.

Pas saj për të dëshmuar vajti Mark Nika, i cili tha për media që hetimi duhet të nis në të gjithë zinxhirin përgjegjës për urdhrat nga kryeministri, Sali Berisha në atë kohe te Lulzim Basha, ministër i Brendshëm.

“Premtimi është që çështja të hetohet deri në fund duke hetuar zinxhirin komanduar që ka urdhëruar ngjarjen e 21 janarit. Ne i kemi dhënë përpara faktet e tjera në prokurorinë e Tiranës. Rihetimi do të shkojë deri në fund dhe kemi besim që SPAK është jashtë politikës dhe do e çojë deri në fund këtë ngjarje. Isha thirru për kasetën, atë e ka Artan Hoxha dhe është i gatshëm për ta dorëzuar.  Po të mos ishte Strasburgu çështja nuk do të hetohej, pasi nuk ka pasur vullnet politik. Ai është një krim shtetëror. Përgjegjësia duhet kërkuar tek kryeministri dhe ministri i Brendshëm i kohës dhe komanda e gardës" tha Mark Nika për mediat.

Aleks Nika dhe 3 protestues të tjerë mbetën të  vrarë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” gjatë protestës së PS më 21 janar, në opozitë në atë kohë. Vetëm për Nikën nuk pati një autor se kush qëlloi ndaj tij dhe kush e dha urdhrin.

SPAK regjistroi çështjen pas urdhrit të Gjykatë së Lartë, e cila kërkoi reflektim të vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

/rtsh.al/