Për herë të parë, një vend përtej Tokës, është renditur si i cenueshëm nga Fondi Botëror i Monumenteve, një organizatë jofitimprurëse ndërkombëtare që çdo dy vjet nënvizon 25 vende të trashëgimisë në rrezik.
Fondi Botëror i Monumenteve ka përfshirë për herë të parë Hënën në listën e saj të vëzhgimit për vitin 2025, duke e konsideruar atë një vend të cenueshëm. Ky vendim ka ardhur pas rritjes së aktiviteteve hapësinore dhe intensifikimit të kërkimeve dhe misioneve që synojnë eksplorimin e Hënës. Si pasojë, shumë nga vendet historike që lidhen me hapat e parë të njerëzimit në Hënë janë në rrezik të dëmtimit, duke përfshirë ato që datojnë nga misionet e famshme të NASA-s, si Apollo 11.
Fondi Botëror i Monumenteve, një organizatë ndërkombëtare që punon për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, e përfshiu Hënën në këtë listë për të nxjerrë në pah rreziqet që kërcënojnë ruajtjen e objekteve dhe vendndodhjeve historike hënore. Këto vende, përfshirë vendin e uljes së Apollo 11 ku ruhen edhe gjurmët e këpucëve të astronautit Neil Armstrong, kamerën që dokumentoi momentin historik të uljes, një disk përkujtimor të lënë nga astronautët Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin si dhe më shumë se 100 artefakte të tjera nga misioni Apollo 11.
Të gjitha këto objekte kanë një vlerë të jashtëzakonshme historike dhe kulturore, por përballen me rreziqe të mëdha për shkak të aktiviteteve të përshpejtuara të eksplorimit hapësinor, që shpesh nuk kanë protokolle të mjaftueshme për ruajtjen e këtyre objekteve.
“Për herë të parë, Hëna përfshihet në Watch për të pasqyruar nevojën urgjente për të njohur dhe ruajtur artefaktet që dëshmojnë për hapat e parë të njerëzimit përtej Tokës, një moment përcaktues në historinë tonë të përbashkët”, tha Presidenti dhe CEO, Bénédicte de Montlaur.
Ky veprim i Fondit Botëror të Monumenteve ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin ndërkombëtar për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, duke nxitur një bashkëpunim global për të siguruar ruajtjen e këtyre monumenteve, qoftë ato në Tokë, në hapësirë, apo në zona të prekura nga konflikte dhe katastrofa natyrore.
/rtsh.al/