RTSH 24 Live

Aktualitet

Helmimi i 41 turistëve polakë, AKU Vlorë gjobit me 6 mln lekë anijen turistike

26/08/2023

Helmimi i 41 turistëve polakë, AKU Vlorë gjobit me 6 mln lekë anijen turistike

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) në Vlorë ka gjobitur me 6 milionë lekë anijen turistike ku dyshohet se u helmuan 41 turistët polakë mbrëmjen e së premtes (25 gusht).

Bëhet me dije se AKU ka marrë mostrat e ushqimit nga anija me të cilën turistët udhëtuan drejt Sazanit, për të përcaktuar shkaqet e helmimit të tyre.

Turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa kanë dalë nga spitali. Megjithatë, autoritetet shëndetësore i kanë ndaluar të udhëtojnë drejt Shkodrës, për të shmangur rrezikun e ndonjë komplikacioni të mundshëm.

Turistët, 20 prej të cilëve fëmijë, u paraqitën mbrëmjen e djeshme në spital me çrregullime gastrointestinale.

Ata udhëtuan nga Shkodra drejt Vlorës, ku morën edhe anijen turistike për në Sazan, ndërsa dyshohet se janë helmuar për shkak të ushqimeve të konsumuara në këtë anije.

/rtsh.al/