RTSH 24 Live

Ekonomi

Hekurudha Vorë–Hani i Hotit, pronarët që preken do të kompensohen

23/07/2024

Hekurudha Vorë–Hani i Hotit, pronarët që preken do të kompensohen

Rreth 400 milionë euro është vlera totale e projektit për ndërtimin e linjës së re hekurudhore Vorë–Hani i Hotit, me një bashkëfinancim nga një sërë institucionesh financiare ndërkombëtare, ku vendi ynë ka kërkuar hua.

Në bashkinë e Malësisë së Madhe projekti do të përfshijë rehabilitimin e trasesë, zëvendësimin e superstruktures, ndërtimin e mureve mbajtëse për të shmangur rrëshqitjet e terrenit rrëzë kodrave, zëvendësimin e tombinove, si dhe përmirësimin e kanaleve kulluese në të dyja anët e hekurudhës.

Në stacionin ndërkombëtar hekurudhor të Bajzës do të jetë edhe fundi i investimit të hekurudhës së re Vorë–Hani i Hotit, që do të lidhë Shqipërinë me vendet e Europës Perëndimore.

Bashkia ka nisur evidentimin e të gjitha aseteve të familjeve që preken nga ky investim, në mënyrë që më pas të kompensohen.

"Bashkia e Malësisë së Madhe do të jetë në dispozicion të kompanisë fituese për të bërë evidentimin e saktë, që gjithë qytetarët dhe familjarët e prekur nga shpronësimi të jenë të ndërgjegjshëm se jo vetëm do të kompensohen për dëmet, por do të nxitet zhvillimi i zonës," shprehet Sytki Ndrecaj, zëvendëskryetar i Bashkisë së Malësisë së Madhe.

Linja hekurudhore Vorë–Hani i Hotit shënon projektin e dytë të infrastrukturës hekurudhore në Shqipëri, pas asaj Durrës–Rinas–Tiranë.

Projekti synon rehabilitimin dhe ndërtimin e 120 kilometrave linjë hekurudhore.

Gazetar: Mirsad Rakaj

/rtsh.al/