Janë hapur këtë të hënë (20 mars) aplikimet për fermerët, blegtorët, bletarët dhe peshkatarët që duan të përfitojnë nga skema kombëtare e mbështetjes në bujqësi. Aplikimet do të vijojnë të jenë të hapura deri më 11 prill dhe fermerët mund të aksesojnë në platformën e-Albania.
Nëpërmjet aplikimit, fermerë, blegtorë, bletarë e peshkatarë do të mund të përfitojnë mbështetje për fara dhe fidanë, për kosheret e mjaltit, naftën falas për punimet e mekanizuara, për prodhimin dhe certifikimin organik dhe investimet në anijet e peshkimit.
Sipas kreut të qeverisë, kjo skemë kombëtare e mbështetjes në bujqësi, ofron mundësinë për të ulur kostot, për të rritur prodhimin dhe të ardhurat e tyre.
“MIRËMËNGJES dhe duke i ftuar fermerët të aplikojnë nga sot e deri me 11 prill për të përfituar nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në platformën e-Albania, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama në rrjetin social Facebook.
/rtsh.al/