Militantët palestinezë liruan pesë pengje izraelitë, ndër të fundit të gjallë që po dorëzohen sipas fazës së parë armëpushimit mes dy palëve që hyri ne fuqi me 19 janar, ndërsa Izraeli liron mbi 600 të burgosur palestinezë.
Pengjet e liruar izraelitë përfshijnë edhe dy që janë mbajtur nga militantët në Gaza prej një dekade. Në Tel Avivit, qindra njerëz të mbledhur në vendin e njohur si 'Sheshi i pengjeve' reaguan me duartrokitje për lirimin e pengjeve.
Shkëmbimi i fundit i pengjeve të gjallë vjen mes akuzave të Izraelit për thyerje të armëpushimit nga Hamasi, pasi Tel Avivi tha një ditë më parë se një nga 4 trupat e pajetë të dorëzuar të enjten nuk ishte i Shiri Bibas.
Më vonë familja Bibas konfirmoi se trupi i ri i dorëzuar të premten nga grupi militant palestinez është i saji. Palët pritet të nisin fazën e dytë të marrëveshjes, në të cilën grupi i armatosur palestinez tha se është gati t’i lirojë të gjithë pengjet e mbetur izraelitë, të gjallë e të vdekur.
Militantët palestinezë morën peng mbi 250 persona gjatë sulmit të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit, i cili shkaktoi më shumë se 15 muaj luftë në Rripin e Gazës, ku nga bombardimet izraelite janë vrarë mbi 48 mijë palestinezë.
/rtsh.al/