Qeveria izraelite ka miratuar një zgjatje të përkohshme të armëpushimit me Gazën për një periudhë shtesë prej gjashtë javësh, duke mbuluar periudhën e Ramazanit mysliman dhe Pashkës hebreje. Vendimi erdhi menjëherë pas skadimit të fazës së parë të armëpushimit të negociuar më herët, që skadoi mesnatën e së shtunës (1 mars).
Zyra e Kryeministrit Benjamin Netanyahu njoftoi këtë masë pas një takimi katëror të thirrur nga ai, ku u diskutua për situatën dhe opsionet për zgjatjen e armëpushimit. Sipas njoftimit zyrtar, zgjatja e armëpushimit do të ofrojë një mundësi për të vijuar bisedimet dhe mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje afatgjatë.
Megjithatë, Zyra e Kryeministrit shprehu shqetësim lidhur me qëndrimin e Hamasit, i cili deri tani ka refuzuar të mbështesë planin e propozuar nga dërguari i SHBA-së, Witkoff, për një fazë të dytë të armëpushimit. Netanyahu u shpreh se Izraeli do të nisë negociatat menjëherë nëse Hamas ndryshon pozicionin dhe është i gatshëm të pranojë këtë plan citon BBC.
Plani i dërguarit të SHBA-së, Witkoff, parashikon që Izraeli mund të rifillojë luftime pas 42 ditësh nëse negociatat për një fazë të dytë dështojnë. Faza e dytë do të përfshinte çështje të rëndësishme, si lirimi i të gjithë pengjeve palestinezë dhe tërheqja e trupave izraelite nga Gaza.
Megjithatë, Hamasi ka refuzuar të miratojë një zgjatje të fazës së parë të armëpushimit pa garanci të qarta se faza e dytë do të realizohej. Sipas një deklarate të Hamasit, grupi militant kërkon siguri nga ndërmjetësuesit, përfshirë SHBA-në, Katarin, dhe Egjiptin, për arritjen e një marrëveshjeje të plotë për fazën e dytë të armëpushimit.
Faza e parë e armëpushimit, që hyri në fuqi më 19 janar, skadoi më 1 mars dhe përfundoi pas 15 muajsh luftimesh të ashpra ndërmjet Hamasit dhe ushtrisë izraelite. Ky armëpushim lejoi lirimin e 33 pengjeve izraelite dhe 5 tajlandeze, si dhe afro 1900 të burgosur palestinezë që ndodheshin në paraburgim.
Pavarësisht disa përparimeve në procesin e paqes, negociatat për fazën e dytë kanë ecur ngadalë. Lajmet sugjerojnë se 24 pengje palestinezë ende janë të gjallë dhe të mbajtur nga Izraeli, ndërsa 39 të tjerë mendohet se janë të vdekur.
/rtsh.al/