RTSH 24 Live

Kulturë

Gruaja e Sherif Merdanit rrëfehet në “Një natë sa një Jetë”: E kujtojmë me modelin që la pas

21/04/2024

Gruaja e Sherif Merdanit rrëfehet në “Një natë sa një Jetë”: E kujtojmë me modelin që la pas

Emisioni “Një natë sa një Jetë” në RTSH1 solli këtë mbrëmje jetën dhe krijimtarinë e këngëtarit të madh shqiptar, Sherif Merdani.

Midis shumë të njohurve të Sherif Merdanit nga bota e muzikës, në emision ishin të pranishëm edhe gruaja e Merdanit, Rozalba së bashku me të birin Gerardin.

Rozalba rrëfeu në “Një natë sa një Jetë” se si Sherif Merdani jeton tek ata me kujtimet që ai la pas por edhe me modelin e artistit që ai krijoi në botën e muzikës shqiptare.

Ai është i pranishëm në çdo mendim timin, në çdo minutë. Është i pranishëm jo vetëm me kujtimet që ka krijuar tashmë në familjen tonë, por them që mbi të gjitha është i pranishëm tek unë dhe tek im bir me atë model të të jetuarit që na ka lënë”, u shpreh Rozalba Merdani.

Sherif Merdani u shqua si këngëtar i muzikës së lehtë. Ai vuajti përndjekjet nga sistemi komunist. Pas Festivalit të 11-të, së bashku me disa këngëtarë të tjerë Merdani u përndoq nga diktatura e Enver Hoxhës ku u dënua me 16 vite burgim për t’iu bashkuar sërish skenës shqiptare në të tjera festivale.

Sherif Merdani ka marrë pjesë  në dhjetëra festivale, ku solli në muzikën shqiptare këngë si “Kënga e nënës”, “Duart e tua”, “Pa harrim”, “Të pres në Tetor” etj. Merdani ndërroi jetë në moshën 81-vjeçare në 29 gushtin e vitit 2021.

/rtsh.al/