Urgjenca e spitalit rajonal të Kukësit ka fluks pacientësh, të cilët kërkojnë shërbim shëndetësor.
Virozat dhe gripi i pazakontë e kanë rritur numrin e vizitave dhe praninë e qytetarëve në ambientet e urgjencës.
Gentian Daka është mjek urgjence. Ai thotë se numri i vizitave ditore në këtë periudhë i kalon 100 apo 150 pacientë.
"Kjo është goxha për spitalin e Kukësit. Pacientët paraqiten me dhimbje të muskujve, dhimbje të kyçeve, temperaturë, kollë, dhimbje koke, mungesë oreksi, ethe, djersitje... të gjitha këto," thotë Dr. Daka.
Ngarkesa e madhe në ambientet e urgjencës po menaxhohet, por mjeku kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për t’u trajtuar më parë nga mjeku i familjes.
Ai ka dhe një apel për të shmangur dyert e spitalit.
"Do u rekomandoja gjithë qytetarëve që t'i drejtohen mjekut të familjes, të mos mbingarkohet urgjenca. Kur nuk menaxhohet prej mjekut të familjes ose kur simptomat janë të patolerueshme, të prekurit t'i drejtohen spitalit," shpjegon mjeku.
Kjo situatë me prezencë të shtuar të të prekurve nga gripi dhe virozat e stinës nisi që në fillim të janarit e sipas mjekëve, të prekurit i përkasin të gjitha grupmoshave, por më të riskuarit janë të sëmurët kronikë dhe mosha pediatrike.
Gazetar: Bujar Muçmata
/rtsh.al/