RTSH 24 Live

Europë

Greqia dërgon anijen e shpejtë luftarake në Detin e Kuq me mision kundër huthive

27/02/2024

Greqia dërgon anijen e shpejtë luftarake në Detin e Kuq me mision kundër huthive

Greqia miratoi të hënën (26 shkurt) pjesëmarrjen në operacionin e Bashkimit Europian për sigurinë detare në Detin e Kuq, për të mbrojtur anijet tregtare nga sulmet prej militantëve huthi në Jemen.

Një komitet sigurie i udhëhequr nga kryeministri Kiriakos Micotakis (o. Kyriakos Mitsotakis) urdhëroi dërgimin e fregatës greke në operacionin Aspides ("mburojë"), që u krijua javën e kaluar.

Misioni do të drejtohet nga një bazë ushtarake në Larisë, në Greqinë Qendrore.

Greqia është prekur drejtpërdrejt nga sulmet e huthive. Porti i Pireut, afër Athinës, raportoi një rënie vjetore të aktivitetit prej 12.7% në terminalin e kontejnerëve në muajin janar.

"Të gjithë e kuptojmë se pjesëmarrja në këtë operacion është me rrezik, me rreziqe të konsiderueshme," tha ministri i Mbrojtjes, Nikos Dendias, gjatë vizitës në bazën detare.

"Greqia, si një fuqi detare me një rol kryesor në transportin global, i kushton shumë rëndësi nevojës për të mbrojtur lirinë e lundrimit, si dhe jetën e detarëve grekë," tha z. Dendias.

Gjermania, Italia dhe Franca gjithashtu do të sigurojnë anije luftarake për misionin, duke iu bashkuar Hydra-s, ndërsa Italia do të marrë komandën taktike, sipas zyrtarëve grekë.

Zyrtarët në Athinë e kanë përshkruar Aspides si një mision mbrojtës, duke shtuar se Greqia nuk do të merrte pjesë në sulme të udhëhequra nga SHBA-ja kundër objektivave ushtarakë huthi në Jemen.

Huthit kanë mbështetjen iraniane dhe thonë se sulmet e tyre me dronë dhe raketa ndaj anijeve tregtare janë një përgjigje ndaj ofensivës së Izraelit në Gazë kundër Hamasit. /VOA

/rtsh.al/