RTSH 24 Live

Politikë

Kryebashkiaku Shera: Vora me numër të lartë punësimesh! Rindërtimi, prioriteti im

09/05/2024

Kryebashkiaku Shera: Vora me numër të lartë punësimesh! Rindërtimi, prioriteti im

Kryebashkiaku i Vorës, Blerim Shera në një intervistë për “Mirëmëngjesi Shqipëri” ka deklaruar se një prej prioriteteve të punës së tij është procesi i Rindërtimit.

Ai u shpreh se aktualisht qytetarët të cilët kanë humbur shtëpitë e tyre nga tërmeti i 2019-ës, kanë marrë çelësat e shtëpive të reja.

Ndonëse shprehet se kanë kaluar 5 vite nga tërmeti, tashmë qytetarët kanë mundësi të futen në shtëpitë e rindërtuara. Ai thekson se janë 405 familje të cilat përfitojnë apartamente.

Kemi rindërtuar një zonë të re, Bulevardi i Ri, me një koncept të ri të riorganizimit, me rrugë të reja, me infrastrukturë të re, me apartamente të reja për t’iu përshtatur banorëve, sidomos atyre që humbën shtëpitë nga tërmeti.

Çdo proces ka punën e vetë. Zgjati 5 vite por sot njerëzit kanë marrë çelësat dhe po futen në shtëpitë e reja.

Gjithë administrata ka qenë e fokusuar te rindërtimi. Shtëpitë janë të gjitha falas. Këtu përfitojnë 405 familje. Do kemi 2 mijë banorë në këtë zonë”, tha ai.

Duke u ndalur te turizmi, Shera theksoi se një prej pikave më të forta turistike është Kalaja e Prezës.  

Ai shtoi se Vora ka nyje strategjike dhe me investimet e reja, do të ketë një rritje edhe më të madhe të numrit të turistëve.

Më tej, Kryebashkiaku u fokusua te objektivat dhe investimet e reja.

“Rruga e re Thumanë-Kashar së shpejti përfundon dhe do të lehtësojë trafikun nga Vora drejt Fushë Krujës.

Ndërkohë kemi marrë njoftime nga ARRSH DHE Ministria e Infrastrukturës se do të fillojë dhe zgjerimi i autostradës.

Vora ofron komoditet se ka nyje strategjike, jemi afër Rinasit, Durrësi, Tiranës. Biznesi është i interesuar të investojë në Vorë se kemi afër Stacionin e Trenit, së shpejti linja hekurudhore Vorë-Hani Hotit, ndërkohë Durrës-Tiranë”, deklaroi Shera, ndërsa vuri theksin edhe te mbështetja që Bashkia jep për bizneset.

Bashkia është partner i biznesit. E them me krenari se Vora ka numër të lartë të punësuarish. Kush ka dëshirë të punojë e ka të mundur te gjejë një vend pune.

Në një mori prej 2 mijë biznesesh , në Vorë mund të vinë rreth 10 mijë njerëz nga zona të tjera që pjesën më të madhe të ditës e kalojnë në Vorë”, tha ai.

Shera deklaroi se në momentin që mori drejtimin e Bashkisë së Vorës, e gjeti institucionin me shumë borxhe. Ai sqaroi se vlera e borxhit kapte shifrën prej 7 miliardësh dhe se ende po vijohet për shlyerjen e këtyre detyrimeve të prapambetura.

“Pjesën time më të madhe për buxhetin, merrem edhe me detyrimet e prapambetura. E gjeta bashkinë me shumë borxhe.

Vlera ka qenë mbi 5-6-7 miliardë. por kur bëjmë rakordimet shohim ende fatura. Jemi të detyruar të vijojmë me shlyerjen e detyrimeve të praprambetura”, përfundoi Kryebashkiaku.

/rtsh.al/