RTSH 24 Live

Ekonomi

Gonxhja: Do përshpejtojmë procesin e lejeve unike për punonjësit e huaj

15/05/2024

Gonxhja: Do përshpejtojmë procesin e lejeve unike për punonjësit e huaj

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja së bashku me ministren e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, zhvilluan sot një takim për të adresuar sfidat që lidhen me procesin e aplikimit dhe miratimit të lejeve unike të punës, në Shqipëri.

Qëllimi i këtij organizimi kishte në fokus kryesor kërkesat e bizneseve për të pasur mundësi të punësojnë të huaj në kushtet e mungesë së krahut të punës në vend.

Biznesi kërkoi nga autoritetet që të përshpejtojnë procesin e aplikimit dhe miratimit të lejeve unike të punës për këtë kategori punonjësish , në Shqipëri.

Pas një sërë takimesh intensive për të dëgjuar dhe zgjidhur çështjet e ngritura nga bizneset dhe punëdhënësit, në përputhje me sugjerimet e tyre, Gonxhja informoi se janë ndërmarrë nisma të rëndësishme për të lehtësuar procesin e lejeve unike.

“Përmirësimet në aplikimin e sistemit online, do të jenë të aksesuesshëm nga bizneset brenda muajit qershor. Rrisim efikasitetin për të siguruar një dialog të ndërsjellë mes sektorit publik dhe atij privat”, deklaroi Gonxhja.

Shërbimi elektronik “Aplikim për leje unike” u mundëson shtetasve të huaj, që kërkojnë të qëndrojnë dhe të punojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, të bëjnë një kërkese për t’u pajisur me leje unike në Republikën e Shqipërisë.

/rtsh.al/