Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj tha të enjten në Kuvend se projektligji “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor”, ka në fokus forcimin e rregullave për garantimin e cilësisë së farave dhe fidanëve të vendosur në treg, regjistrimin e varieteteve të reja në katalogun kombëtar si dhe procedurat për certifikim zyrtar, duke garantuar, sipas saj, sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.
Duke folur në Kuvend, Denaj theksoi se, në vitin 2024 janë certifikuar 52 514 962 fara/fidanë.
“Nga laboratori i ESHFF, për vitin 2024 janë kryer rreth 400 testime për treguesit cilësorë të Materialit Mbjellës dhe Shumëzues Bimor dhe 88 testime të varieteteve të reja për regjistrim në Katalogun Kombëtar, duke rritur kështu cilësinë e produkteve shqiptare dhe rritjen e eksporteve.”, deklaroi Denaj.
Sipas saj, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, çdo subjekt publik apo privat me objekt veprimtarie prodhimin, importin e tregtimin e materialit mbjellës do ketë një drejtues teknik në fushën e agronomisë apo në fushën e inxhinierisë pyjore për rastet e materialit mbjellës pyjor, me qëllim që të kemi një prodhim të sigurt dhe agroteknika e përdorur të jetë korrekte duke garantuar prodhim cilësor dhe të qëndrueshëm sipas BE-së.
“Ky projektligj rregullon më konkretisht strukturat dhe detyrat e lidhura me kontrollin e materialit mbjellës dhe shumëzues bimor duke përfshirë të gjitha fazat e tij: prodhimin, tregtimin; analizimin. Tre janë hallkat që ky ligj përmirëson: certifikimin, regjistrimin; tregtimin e materialit mbjellës”, tha ministrja.
Denaj theksoi se, farat dhe fidanët e shëndetshëm janë garancia më e mirë e një bujqësie të qëndrueshme dhe prodhimit cilësor. Në kuadër të sigurisë ushqimore janë ndërmarrë një sërë nismash thelbësore legjislative që do të sigurojnë përafrimin e plotë me Acquis të BE-së dhe do të krijojnë një kuadër rregullator gjithëpërfshirës.
Kjo përfshin, vijoi ajo, përmirësimin e gjurmimit të produkteve ushqimore dhe rishikimin e strategjive të menaxhimit të rrezikut, teksa nënvizoi se, ndikon në reduktimin e përdorimit të Produkteve të Mbrojtjes së Bimëve duke përdorur fara dhe fidanë në përshtatshmëri me zonat dhe kushtet klimaterike dhe rezistente ndaj sëmundjeve dhe dëmtuesve.
Ministrja Denaj tha se, puna e bërë vitet e fundit për të rritur gjurmimin e produktit nga ferma në tavolinë dhe rritja e parametrave të sigurisë ushqimore në kontroll është një punë e vijueshme dhe që kërkon jo vetëm investime në infrastrukturë por edhe rritje të kapaciteteve njerëzore.
/rtsh.al/