RTSH 24 Live

Ekonomi

MIPIM 2025: Shqipëria promovohet si destinacion investimesh në pasuri të paluajtshme

11 orë para

MIPIM 2025: Shqipëria promovohet si destinacion investimesh në pasuri të paluajtshme

MIPIM është një nga panairet më të mëdha të pasurive të paluajtshme në botë, duke mbledhur mbi 20 mijë delegatë nga e gjithë bota. Eventi tërheq investitorë, zhvillues dhe profesionistë të sektorit nga 90 vende, që menaxhojnë mbi 4 trilionë euro në asete. 

Për herë të parë, në panairin e mbajtur në Kanë të Francës nga data 10 deri në 14 mars po merr pjesë edhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA). Pjesëmarrja e AIDA-s në këtë event synon të prezantojë projektet arkitekturore dhe mundësitë e investimit në Shqipëri në sektorin e pasurive të paluajtshme.

Gjatë pjesëmarrjes në MIPIM 2025, AIDA ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Miami Association of REALTORS, organizatën e famshme të profesionistëve të pasurive të paluajtshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo marrëveshje synon promovimin e Shqipërisë si një destinacion tërheqës për investime në pasuri të paluajtshme, duke krijuar mundësi të reja bashkëpunimi dhe shkëmbimi informacioni me një rrjet global profesionistësh të kësaj industrie.

Miami Association of REALTORS përfaqëson rreth 60 mijë profesionistë të fushës dhe ka marrëveshje me 279 organizata ndërkombëtare në mbi 70 vende të botës. Kjo platformë do të ndihmojë në rritjen e vizibilitetit të tregut shqiptar të pasurive të paluajtshme, duke e bërë atë më të aksesueshëm për investitorët e huaj.

/rtsh.al/