Kryeministri Edi Rama ka pritur në një takim komisioneren e BE për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin, Marta Kos, në fokus të të cilit ka qenë Plani i Rritjes, disbursimi i fondeve shtesë për Shqipërinë dhe rrugëtimi i vendit për t'u integruar në Bashkimin Evropian.
Kreu i qeverisë e bëri të qartë në konferencën e përbashkët me komisioneren Kos se rruga e vetme për Shqipërinë është anëtarësimi në familjen e madhe evropiane brenda 2030-ës.
“Shiu, ogur i mirë për planin e ri të rritjes dhe disbursimin e fondeve shtesë për Shqipërinë.
Ne në rajon e kemi pritur me entuziazëm zgjedhjen tuaj sepse ju jeni edhe e BE-së edhe e jona, duke qenë nga një vend I rajonit I cili ka shkëlqyer në rrugën e vetë dhe sot është anëtar krenar i BE-së, Sllovenia.
Duke pasur gjakun më pranë nesh se pranë Brukselit shpresoj. Ne nuk e marrim mbështetjen tuaj si diçka të dhënë njëherë e mirë, por si diçka të fituar çdo ditë. është mbështetja e një institucioni shumëkërkues sic është BE, të cilën ne e dimë se duhet merituar çdo ditë.
Ne e dimë që nuk ka asnjë alternativë tjetër veçse të jemi në BE, sepse s’ka alternativë tjetër të barazisë para ligjit, lirisë individuale, bashkëjetesës në diversitet dhe standardeve evropianë të kësaj bashkëjetese.
Ne folëm me komisioneren dhe për të shkuarën e cila na ka mësuar se përse rruga e vetme e jona është ajo drejt BE-së. Ne jemi të vendosur të përmbushim me sukses të përfundimit të negociatave brenda 2027 dhe ambicia jonë është që shqiptarët të marrin pasaportën e BE-së brenda kësaj dekade”, deklaroi kryeministri në fjalën e tij.
Sa i përket planit të rritjes, Rama vuri në dijeni komisioneren Kos se Parlamenti shqiptar do të hedhë në votim marrëveshjet financiare për Planin e Rritjes, që do i hapin rrugën financimeve deri në 1 miliard euro të dedikuara për Shqipërinë.
Nga ana tjetër, Kos e cilësoi si një objektiv realist ambicien e Shqipërisë për të mbyllur negociatat deri në fund të vitit 2027. Komisionerja vlerësoi punën e bërë nga vendi në rrugën drejt anëtarësimit, teksa theksoi se me Shqipërinë, BE-ja do të jetë edhe më e fortë.
“Rrugëtimi juaj drejt BE është i sigurt në udhën e vet dhe është i vërtetë. Erdha këtu për tju treguar mbështetjen time të plotë për objektivat tuaj kaq ambicioze, që janë edhe realistë. Ju thoni që doni që negociatat të përmbyllen deri në fund të viti 2027 dhe ne jemi në udhë të mbarë sepse janë hapur grup kapitujt e caktuar. Me shumë dëshirë duam që Shqipëria të bëhet pjesë e BE, ju e meritoni sepse me ju, BE nuk do të jetë vetëm më e madhe, pro edhe më e fortë”, u shpreh Kos.
Komisionerja vlerësoi edhe rolin e Shqipërisë në rajon, teksa e cilësoi vendin si një “ishull stabiliteti”. Ndalur te Plani i ri i Rritjes, Kos tha se shpreson që sot të ratifikohen marrëveshjet, të cilat po shqyrton Kuvendi, në mënyrë që vendi të sigurojë huatë dhe grantet e planifikuara.
“Ju jeni ishull stabiliteti, jeni kampionë për bashkëpunimin rajonal dhe kjo është shumë e rëndësishme. Unë shpresoj që sot do të kemi ratifikimin në parlament të të dyja marrëveshje në mënyrë që ne t’i japim Shqipërisë shifrën 1 miliard euro, një pjesë hua dhe një pjesë në grante, në mënyrë që të kryhen të gjitha reformat e domosdoshme për Shqipërinë. Më ka lënë shumë mbresa edhe reputacioni juaj për mikpritjen, nuk është puna vetëm sesi më keni pritur, por edhe si keni pritur Kolegjin e Euopës dhe sesi Parlamenti Europian ka vendosur që të hapë zyrën e vet rajonale pikërisht këtu në Tiranë. Është madhore kjo që po bëni ju dhe fokusi duhet të jetë te zbatimi i reformave që janë miratuar dhe përshpejtimi i konfirmimit të të gjithë reformave të tjera, veçanërisht sa i përket reformës në drejtësi që e mbështes tërësisht sepse është edhe gurë themeli i procesit të integrimit europian. Ecuria për grup kapitullin themelor është shumë i rëndësishëm. është shumë e rëndësishme që procesi i anëtarësimit në BE të jetë projekt i të gjithë shoqërisë shqiptare, të përfshihet shoqëria civile, organizata të ndryshme OJQ”, deklaroi Kos.
/rtsh.al/