RTSH 24 Live

Kosovë

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK, Thaçi mungon në seancë për shkak të problemeve shëndetësore

18/02/2025

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK, Thaçi mungon në seancë për shkak të problemeve shëndetësore

Seanca e gjyqit të kësaj të marte (18 shkurt) që po mbahet në Gjykatën Speciale të Hagës kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit u ndërpre për disa minuta.

Shkak, mungesa e pranisë së ish-presidentit Thaçi, i cili raportohet të ketë disa probleme mjekësore.

Që në nisje të seancës, avokati i ish-presidentit, Luka Misetiç tha se klienti i tij nuk ndihej mirë dhe nuk mund të merrte pjesë në seancë.

Megjithatë, seanca vijoi pasi Misetic bëri me dije se Thaçi kishte nënshkruar një leje për vijimin e saj pavarësisht se vetë nuk do të ishte i pranishëm.

Seanca ku po dëshmon dëshmitari i radhës i Prokurorisë kundër ish-krerëve të UÇK-së, me urdhër të trupit gjykues po vazhdon të mbahet pas dyerve të mbyllura.

Procesi gjyqësor ndaj tyre nisi në prill të vitit 2023 ndërsa të katërt ish-krerët e UÇK-së, ndaj të cilëve janë ngritur akuza për krime lufte,  vijojnë të jenë të ndaluar në qendrën e paraburgimit të Hagës që nga nëntori i vitit 2020.

Ish-krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzë.

/rtsh.al/