RTSH 24 Live

Botë

Gjykata e Lartë e SHBA merr vendimin: Trump, pjesërisht imun për aktet zyrtare, jo për ato jo zyrtare

01/07/2024

Gjykata e Lartë e SHBA merr vendimin: Trump, pjesërisht imun për aktet zyrtare, jo për ato jo zyrtare

Gjykata e Lartë e SHBA-së vendosi të hënën se Donald Trump mund të kërkojë imunitet nga ndjekja penale për disa nga veprimet që ai ndërmori në ditët e fundit të presidencës së tij, por nuk kanë imunitet për aktet jozyrtare.

Ky vendim hedh poshtë një vendim të dhënë më parë nga një gjykatë federale e apelit, sipas së cilës Trump nuk gëzonte imunitet për krimet e supozuara që ai kreu gjatë presidencës së tij për të ndryshuar rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020.

Vendimi i Gjykatës së Lartë ka të ngjarë të shtyjë më tej gjyqin për akuzat për  përmbysjen e zgjedhjeve federale në pritje kundër Trump. Kjo çështje do të kthehet në një gjykatë më të ulët e cila më pas do të vendosë se si të zbatohet vendimi i Gjykatës së Lartë.

Ish-presidenti Donald Trump përshëndeti vendimin e Gjykatës së Lartë për imunitetin presidencial, duke e quajtur atë një fitore të madhe për Kushtetutën dhe demokracinë.

 “Fitore e madhe për Kushtetutën dhe demokracinë tonë. Krenarë që jemi amerikan!” shkroi ai në rrjetet sociale.

Ish-presidenti po përballet me çështje të shumta ligjore ndërsa po lufton me Presidentin Joe Biden për të rimarrë Shtëpinë e Bardhë./ BBC

/rtsh.al/