RTSH 24 Live

Aktualitet

GJKKO vendos sekuestro preventive mbi pasuritë e Evis Berberit dhe dy ortakëve të tij

29/03/2024

GJKKO vendos sekuestro preventive mbi pasuritë e Evis Berberit dhe dy ortakëve të tij

GJKKO ka vendosur sekuestro të pasurive të ish-kreut të ARRSH-së Evis Berberit dhe dy ortakëve të këtij të fundit, biznesmenëve Valter Begaj dhe Ervis Lami.

Pas hetimeve të kryera nga SPAK, GJKKO vendosi sekuestro preventive mbi shoqërinë “DAAM”, pasuri të paluajtshme të llojit arë, 6 automjeteve e një motomjeti.

Në vijim të njoftimeve të mëparshme, për faktin penal të rezultuar dhe personat e dyshuar (njoftim i datës 14.03.2024), Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.164, datë 18.03.2024, ka vendosur:

  1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;
  2. Vendosjen e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi pasuritë e mëposhtme:
  • Kuotat e shoqërisë “DAAM” sh.p.k., me ortak personin nën hetim V. B. dhe administrator personin nën hetim E. L;
  • Pasurinë e paluajtshme Nr.80/2, e llojit “arë”, me sipërfaqe 25,100 m2, me adresë Mangull, Tiranë, vetëm mbi pjesën takuese të shoqërisë “DAAM” sh.p.k.
  • Pasurinë e paluajtshme e llojit “arë” me sipërfaqe 1,000 m2, me adresë Mangull, Tiranë, vetëm mbi pjesën takuese të shoqërisë “DAAM” sh.p.k.;
  • Pasurinë e paluajtshme e llojit “arë”, me sipërfaqe 1,080 m2, me adresë Mangull, Tiranë, vetëm mbi pjesën takuese të shoqërisë “DAAM” sh.p.k.;
  • Pasurinë e paluajtshme e llojit “arë”, me sipërfaqe 2,055 m2, me adresë Mangull, Tiranë, vetëm mbi pjesën takuese të shoqërisë “DAAM” sh.p.k.;
  • Pasurinë e paluajtshme me sipërfaqe 5,000 m2, me adresë Mangull, Tiranë, vetëm mbi pjesën takuese të shoqërisë “DAAM” sh.p.k.;
  • Automjetin e markës “SKODA”, modeli “FABIA”, viti i prodhimit 2019;
  • Automjetin e markës “JEEP”, modeli “COMPASS”, viti i prodhimit 2011;
  • Automjetin e markës “BMË”, modeli “X3”, viti i prodhimit 2004;
  • Automjetin e markës “FORD”, modeli “KUGA”, viti i prodhimit 2011;
  • Motomjetin e markës “DAYANG”, modeli “DY125T-32”, viti i prodhimit 2022;
  • Automjetin e markës “KIA”, modeli “SELTOS”, viti i prodhimit 2020;
  • Automjetin e markës “HYUNDAI”, modeli “AVANTE”, viti i prodhimit 2020”, thuhet në njoftim.

Evis Berberi u arrestua më 13 mars me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Sipas SPAK Berberi ka marrë para nga biznesmeni Valter Begaj, kompania e të cilit përfitoi 6 tendera gjatë kohës që Berberi ka qenë në krye të dy institucioneve të rëndësishme  Agjencisë për Efiçencën e Energjisë dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Nga hetimet ka rezultuar se Berberi ka dhënë 3 tendera gjatë kohës që drejtonte Agjencinë për Efiçencën e Energjisë me vlerë totale 137,400,000 lekë pa Tvsh dhe 3 tendera të tjerë gjatë kohës që drejtonte Autoritetin Rrugor Shqiptar me vlerë totale 101,811, 343 lekë pa Tvsh, ku përfitues i vetëm i tyre ishte biznesmeni Valter Begaj.

Shuma e përfituar nga Berberi nga Valter Begajt është 223,480,476 lekë, me tvsh. Këto para janë kaluar me transaksione nga kompania e Valter Begaj në kompaninë e Ervis Lames dhe në zotërim indirekt nga Evis Berberi, që më pas i kanë investuar në pasuri të paluajtshme në emër të kompanisë.

Berberi dorëzoi dorëheqjen nga drejtimi i ARSH-së pak orë para arrestimit më 13 mars.

/rtsh.al/