RTSH 24 Live

Aktualitet

Arrestimi i drejtorit të ARRSH-së, SPAK: Abuzoi me 6 tendera duke përfituar mbi 200 milionë lekë, Berberi i investoi në prona

14/03/2024

Arrestimi i drejtorit të ARRSH-së, SPAK: Abuzoi me 6 tendera duke përfituar mbi 200 milionë lekë, Berberi i investoi në prona

Abuzimi me 6 tendera nga Evis Berberi në kohën kur ai ka qenë në krye të Agjencia për Efiçencën e Energjisë dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar, ka bërë që ky të përfundojë në pranga së bashku me dy biznesmenët Valter Begaj dhe Ervis Lame.

Evis Berberi, Valter Begaj dhe Ervis Lame akuzohen nga SPAK për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”,  “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.

SPAK ka zbardhur detaje të reja nga abuzimet e bëra nga Evis Berberi që nga koha kur ky ka qenë fillimisht në cilësinë e ish Drejtorit të Përgjithshëm për Efiçencën e Energjisë, më pas në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Sipas SPAK Berberi ka marrë para nga biznesmeni Valter Begaj, kompania e të cilit përfitoi 6 tendera gjatë kohës që Berberi ka qenë në krye të Agjencisë për Efiçencën e Energjisë dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar.

“Berberi ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëria “N……. Group”,sh.p.k., (që është përfituesi i prokurimeve publike të zhvilluara gjatë kohës kur shtetasi E. B. ishte titullar i autoritetit kontraktor), përfitime të parregullta monetare të marra në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet shoqërisë “D……. sh.p.k., të kontrolluar prej tij. Marrja e këtyre përfitimeve është realizuar pas fitimit të procedurave të prokurimit nga ana e shoqërisë “N…… Group”, sh.p.k., në zotërim të shtetasit nën hetim V. B., prokurime publike të zhvilluara me titullar të autoritetit kontraktor, shtetasin E.B., dhe më pas kanë kaluar vlera monetare nëpërmjet transaksioneve në drejtim të shoqërisë në zotërim indirekt të shtetasit E. B. “D…..” sh.p.k, me përfitues shtetasin E. B.. Këto vlera monetare të përfituara në mënyrë të parregullt, nëpërmjet shtetasve V. B., E. L. dhe B. B., i ka investuar në veprimtarinë ekonomike për blerjen e pasurive të paluajtshme në emër të shoqërisë “D…..”sh.p.k, që përbëjnë edhe produkte të veprës penale", thotë SPAK.

Evis Berberi ka dhënë 3 tendera gjatë kohës që drejtonte Agjencinë për Efiçencën e Energjisë me vlerë totale 137,400,000 pa Tvsh dhe 3 tendera të tjerë gjatë kohës që drejtonte Autoritetin Rrugor Shqiptar me vlerë totale 101,811, 343 lekë pa Tvsh, ku përfitues i vetëm i tyre ishte biznesmeni Valter Begaj.

Shuma e përfituar nga Berberi nga Valter Begajt është 223,480,476 lekë, me tvsh. Këto para janë kaluar me transaksione nga kompania e Valter Begaj në kompaninë e Ervis Lames dhe në zotërim indirekt nga Evis Berberi, që më pas i kanë investuar në pasuri të paluajtshme në emër të kompanisë.

"Nga hetimi ka rezultuar se gjatë kohës kur shtetasi E.B., ka qenë nën cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, Agjencia për Efiçencën e Energjisë, janë zhvilluar tre procedura prokurimi në vlerën totale 137,400,000 (njëqind e tridhjetë e shtatë milion e katërqind mijë) lekë pa Tvsh, me operator fitues shoqërinë e shtetasit V.B., “N…Group” sh.p.k. Kurse gjatë kohës kur shtetasi E.B., ka qenë nën cilësinë e  titullarit të autoritetit kontraktor, Autoriteti Rrugor Shqiptar, janë zhvilluar tre procedura prokurimi në vlerën totale 101,811, 343 (njëqind e një milion e tetëqind e njëmbëdhjetë mijë e treqind e dyzet e tre) lekë, pa Tvsh, me fitues bashkimin e operatorëve me pjesëmarrëse shoqërinë e shtetasit V.B., “N…Group” sh.p.k.

Po ashtu, nga hetimi ka rezultuar se shoqëria “D….”sh.p.k., në zotërim indirekt të shtetasit E.B., ka përfituar të ardhura nëpërmjet transaksioneve nga shoqëria e shtetasit V.B. “N….Group”sh.p.k., në vlerën 223,480,476 (dyqind e njëzet e tre milion e katërqind e tetëdhjetë mijë e katërqind e shtatëdhjetë e gjashtë) lekë, me tvsh“, thuhet në njoftimin e SPAK.

Berberi ka dorëzuar dorëheqjen pak orë para arrestimit më 13 mars. Evis Berberi u emërua drejtor i ARRSH-së në qershor të vitit 2021.

/rtsh.al/