RTSH 24 Live

Televizion

Irini Qirjako, ‘Bilbili i Labërisë’, që talentin ja zbuloi gjitonia: Kënga nuk duhet të vdesë kurrë

28/04/2024

Irini Qirjako, ‘Bilbili i Labërisë’, që talentin ja zbuloi gjitonia: Kënga nuk duhet të vdesë kurrë

Irini Qirjako, ose siç njihet ndryshe, “Bilbili i Labërisë”,  ishte artistja radhës e ftuar në mbrëmjen e së dielës në spektaklin “Një natë sa një jetë’ në RTSH, drejtuar nga Blerta Tafani. Zëri i saj është një nga perlat e Jugut, një nga ato zëra që kur këngëtarja këndon, jo vetëm aktivizon të gjithë qenien e saj , por magjeps edhe të gjithë ata që e dëgjojnë.

Irini Qirjako, e cila është një ndër artistet më të dashura të muzikës së kultivuar popullore jo vetëm në Shqipëri, por edhe në skenat në Ballkan, Evropë e deri në SHBA.

Gjatë emisionit, duke lundruar edhe në detin e nostalgjisë, Irini u shpreh se pasioni për këngën ka qenë i hershme, që kur ajo ishte vetëm 5 vjeçe.

Madje ajo tregoi edhe një kuriozitet se ka qenë gjitonia e saj ajo që u ka treguar prindërve për talentin që ajo kishte për këngën.

“Kënga për mua është gjithçka. Është jeta ime. Që 5 vjeç kamë filluar të këndoj. Talenti lind me njeriun dhe kush di ta menaxhojë, atëherë është diçka shumë e mirë. Dalë nga dalë e kam kuptuar që kam talent. Të gjithë komshinjtë më dëgjonin kur këndoja e vogël. Dëgjoja Vaçe Zelën në radio dhe frymëzohesha nga ajo. Kohë më parë pak kush mendonte se unë do të bëhesha këngëtare. Të ardhmen time e ka planifikuar mësuesi im i fillores. Isha 6-7 vjeçe dhe nisa të këndoja në shkollë. Në orën e muzikës më dukej sikur isha në qiellin e shtatë”, tha Irini.

Ajo e ka të vështirë të ndajë se cili prej zhanreve muzikore është më i miri, muzika e lehtë apo ajo popullore, por për atë një gjë është më se e sigurt, që kënga popullore është geni i tabanit tonë shqiptar.

Irini Qirjako ka një mesazh për të gjithë këngëtarët e rinj që të ndjekin këngën e tabanit popullor.

“Është një obligim shumë i madh që këngëtarët e rinj të mbështeten të puna jonë, tek krijimtaria që ne kemi lënë sepse kënga nuk duhet të vdesë kurrë.  Është lumturi që trashëgohet kjo kulturë e të kënduarit nga brezat e rijnë”, tha irini.

Rrëfimi i Irini Qirjakos

Ne nuk bëjmë dot pa muzikën e lehtë dhe ata popullore. Por mendoj se këngë popullore është geni i shqiptarit, është tabani jonë në gëzime dhe në hidhërime. Kënga popullore të ngreh në peshë.  Mbaj mend që kur isha 5 vjeç këndoja me pasion shumë të madh.  Unë ulesha pranë oxhakut dhe këndoja dhe pas shtëpisë kishim gjitonin që më dëgjonte.

Mirëpo shtëpia e gjitones ishte gati ngjitur dhe ajo me dëgjonte. Një ditë i tha mamasë sime kur erdhi nga puna: Moj Dhimitrulla, ajo vajza jote ka një zë të ëmbël dhe këndon shumë bukur. Më dëgjo mua, do të bëhet këngëtare e madhe. Mamaja ime e pa me nënqeshje dhe mosbesim. Kurse ime mëmë iu përgjigj: Lena, edhe ti, moj, mos i ngre mendjen. Dhe mesa duket-ajo ma paska ndjell mua .  

Këngën popullore e kam dashur që e vogël sepse prindërit e mi këndonin polifoni. Babai ka qenë një këngëtar brilant,  edhe pse ne ishim minoritar ai këndonte këngët e bregut, Pilurit, Himarës. Mesa duket unë trashëgova pasionin dhe vokalin për këngë nga prindërit.

Kënga për mua është gjithçka është jeta ime, që 5 vjeç kanë filluar të këndoj. Talenti lind me njeriun dhe kush di të menaxhojë atëherë është diçka shumë e mirë. Dalë nga dalë e kam kuptuar që kam talent, të gjithë komshinjtë më dëgjonin kur këndoja e vogël. Dëgjoja Vaçe Zelën në radio dhe frymëzohesha nga ato. Në kohën e dikurshme kush mendonte se unë do të bëhesha këngëtare. Të ardhmen time e ka planifikuar mësuesi im i fillores. Isha 6-7 vjeç dhe aty nis të këndoja në shkollë, më dukeshe ora e muzikës sikur isha në qiellin e shtatë.

Fiqirete Kapa:  Është unike kur këndon

Fiqerete Kupa, është një personalitet i njohur në botën e muzikës, e cila e ka ndjekur thuajse hap pas hapi rrugëtimin e irinit në botën e muzikës së kultivuar popullore.

“Unë e mbaj mend Irinin kur erdhi në Ansambël dhe u paraqit tek dirigjenti. Që në fillim ajo ra në sy sepse bëri provë me këngën e Atdheut tim, që kishte dhe labçe.  Zëri im nuk i përgjigjej këngëve labe dhe teksa e provojë zonja, e qau dhe ra në sy të dirigjentit. Polifonia e Irinit është e ngjitur në shpirtin e saj.   Me bindje e them që është unike në gjininë e saj të kënduarit”., tha ajo.

Selim Paja : Irini është një gjigande e këngës popullore.  

Edhe Selim Paja, një këngëtar, i cili premton shumë për të ardhmen në botën e muzikës, madje ka interpretuar në duet bashkë me Irinin, theksoi se është rritur me muzikën e ‘Bilbilit të Labërisë’.

“Jemi rritur me këngët e saj dhe nuk e dija që një ditë do të kisha fatin që të këndoja me atë.  Së afërmi kemi një projekt së bashku duke realizuar një vide-klip. Irini është një gjigande e këngës popullore”, tha ai.

Vllasova Musta: Kur këndon Irini dhe malet nga zëri i saj, mbështesin supet pranë njëri-tjetrit dhe i mbajnë ISO

Unë e kam njohur Irinin që kur ka filluar të këndojë dhe jo kur jam takuar me atë.  Irini është këngëtarja që bënë dritë. Ndriçon skenën, ndriçon sallën dhe na ndriçon ne. Kënga e saj e interpretuar me atë zë të jashtëzakonshëm është një magji dhe ti thua se nga po më vjen ky zë, duket si një zë që vjen nga lart.  Më krijohet përshtypja që kur këndon Irini dhe malet nga zëri i saj , malet mbështesin supet pranë njëri-tjetrit dhe aviten për ti mbajtur iso zërit të Irinit.  Kur këndon Irini hapet legjendat.

Denisa Gjezo: Irini ka një zë tepër të fuqishëm dhe ajo që bie në sy është çiltërsia që ka me publikun

“Im atë ka qenë e dashuruar me këngët e Irinit duke e adhuruar dhe kur dëgjonte këngët, ai linte çdo punë që kishte në dorë. Irini ka një zë tepër të fuqishëm dhe ajo që bie në sy është çiltërsia që ka me publikun”.

Vajza e Lefter Çipës, Parashqevi Çipa: Irini gjithë familjen tonë e ka lumturuar shpirtërisht

“Kur ka dal këngët e Atdheut tim, im at u lumturua pafund. Ai tha se zëri dhe diapazoni i Irinit e mbushte këngën.  Dhe unë isha shumë e vogël dhe teksa dëgjoj babanë që foli me kaq superlativa  unë u bëra xheloze. Por më e bukura është kur ai kërkoi diçka dhe më thotë: Moj Irini më sillë pak këtë...!  Ai u lumturua aq shumë sa dhe mua më ngatërroi me Irini. Irini gjithë familjen tonë e ka lumturuar shpirtërisht sepse ajo e mbushi aq shumë këngën sikur këndonte grupi i Pilurit”.  

 

/rtsh.al/