RTSH 24 Live

Aktualitet

GJKKO mban të konfiskuara pasuritë e Redjan Rrajës

3 orë para

GJKKO mban të konfiskuara pasuritë e Redjan Rrajës

Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi të mërkurën (23 tetor) të mbajë të konfiskuara një numër pasurish të luajtshme dhe të paluajtshme nga i pandehuri Redjan Rraja, i akuzuar për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoji.

Rraja e kishte ankimuar një vendim të shkurtit 2024 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, që çoi në konfiskimin e apartamenteve në emër të tij, njësive tregtare, automjeteve dhe një orë luksoze "Rolex".

I pandehuri është dënuar me burgim të përjetshëm për ngjarjen e 1 nëntorit 2019. Si bashkëpunëtor i tij po vuan një dënim më të ulët edhe Ariol Halilaj. Rraja e ka mohuar përfshirjen në atentat.

Ngjarja e ndodhur në mbikalimin e Shkozetit rezultoi në plagosjen e prokurorit Ndoji, ndërsa shoferi i tij Aleksandër Laho humbi jetën një javë më vonë si pasojë e plagëve të marra. 

Sipas SPAK-ut, atentati ishte organizuar nga "Banda e Durrësit" dhe anëtari i saj Plarent Dervishaj, në bazë të dëshmive të një bashkëpunëtori të drejtësisë.

/rtsh.al/