RTSH 24 Live

Aktualitet

Siguria kibernetike, Tafa: Në 2024, 600 raste të rrjedhjes së informacionit kritik

3 orë para

Siguria kibernetike, Tafa: Në 2024, 600 raste të rrjedhjes së informacionit kritik

Përhapja e lajmeve të rreme me rrezik për sigurinë kombëtare mbetet një sfidë për Shqipërinë. 

Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), Igli Tafa, deklaroi të mërkurën (23 tetor) në Komisionin parlamentar për Dezinformimin se aktorë të huaj vazhdimisht e sulmojnë vendin.

"INSTAT-i u godit nga një sulm i orkestruar i shtetit të Iranit më 1 shkurt 2024 dhe propaganda që u përhap shpejt ishte që është prekur Censi dhe janë prekur të dhënat e qytetarëve. Kjo ishte jo e vërtetë. Rasti tjetër ishte rasti i një banke të nivelit të dytë, në fund të vitit 2022, kur u përhap paniku mes qytetarëve se kjo bankë kishte falimentuar dhe nuk mund të tërhiqeshin më paratë. Ishte një tjetër lajm i rremë, që e menaxhuam mjaft mirë këtë lajm që kishte për qëllim të krijonte destabilitet nga armiqtë ose grupet e tjera.

Terrorizmi kibernetik është një nga elementet që e shohim me shumë kujdes dhe e rianalizojmë disa herë më shumë sesa një sulm të nivelit IT. Elemente të tjera që kemi parë janë grupet haktiviste, që duan të lëshojnë disa mesazhe dhe hakojnë sisteme të caktuara. Një tjetër element është shantazhimi, kryesisht mbi individë. Rrjetet sociale si TikTok, Instagram, tashmë e ofrojnë si opsion raportimi dhe ne marrim raportime të vazhdueshme në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, por edhe instanca të tjera. Vetëm në një ditë, nga një qytet i vogël kemi marrë 72 raportime për shantazhim. Këta njerëz angazhoheshin në rrjetet sociale, 80 për qind ishin vajza. Element tjetër është spiunazhi teknologjik, për të marrë informacione mbi të dhënat sekrete të vendit tonë.

Ne kemi pasur rrjedhje informacioni, siç dihet. Vetëm në vitin 2024 gjatë periudhës janar–gusht janë vërejtur 600 raste të rrjedhjes së informacionit nga infrastruktura kritike dhe në nivel qytetarësh mbi 5.600. Ndërkohë për sabotazhin apo 'cyber threat' nuk kemi evidenca, pra për njerëz të paguar që punojnë për një institucion, por duan të sabotojnë shërbimet. Për sa i përket sulmeve kibernetike, vitin e kaluar kemi ndeshur 49 sulme. Në 47 raste kemi qenë të suksesshëm, ndërsa në dy raste nuk kemi mundur ta parandalojmë për shkak të sofistikimit që kishte sulmi," tha z. Tafa.

Hapësira kibernetike është e lidhur me stabilitetin e vendit dhe "mbrojtja kibernetike është e barabartë me mbrojtjen kombëtare", shtoi drejtori Tafa.

AKSK-ja ka ngritur një Strukturë Ndërinstitucionale për Inteligjencën Kibernetike, për të analizuar të gjitha informacionet që publikohen në mediet e brendshme, por edhe të huaja, kur ato parashikohen si një rrezik për sigurinë kombëtare të vendit.

"Këtë duam ta vendosim me ligj, për të kaluar nga një proces i përkohshëm në një komitet të përhershëm. Ky është një koncept gjeopolitik," deklaroi z. Tafa.

/rtsh.al/