RTSH 24 Live

Ekonomi

Gjithçka gati për Vorë-Hani i Hotit, kosto totale e projektit 415 milion euro

10/08/2024

Gjithçka gati për Vorë-Hani  i Hotit,  kosto totale e projektit 415 milion euro

Viti 2025 do të shënojnë nisjen e punimeve për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit. Në Fletoren Zyrtare është publikuar marrëveshja e kredisë për financimin e kësaj vepre, ku përfshihen të gjitha detajet e projekti.

Projekti synon modernizimin e linjës hekurudhore prej 120 km, e cila do të lidhet në veri me linjën ekzistuese në kufirin me Malin e Zi, ndërsa  në  jug  do  të lidhet  me  linjën  e  Durrësit  dhe  Tiranës,  e  cila aktualisht është në proces modernizimi.

Objektivi kryesor i projektit është përfshirja dhe rikthimi në funksion i kësaj linje  hekurudhore, sipas standardeve të Rrjetit Trans-Europian të Transportit Network.

Punimet e këtij projekti madhor do të përfshijnë zgjerim deri në 6.6 m dhe forcim të formacionit, zëvendësimin dhe rehabilitimin te rreth  12  urave kryesore, zgjerimin dhe modernizimin e tunelit të Lezhës, ndërtimin, zëvendësimin dhe rehabilitimin e rreth 13 stacioneve,  duke  përfshirë  ndërtesat  e  stacioneve, platformat, aksesin/parkingun, përmirësimet e shtrirjes së pistave, ndërtimin e një qendre për kontrollin e trafikut, e të tjerë.

Projekti do te bashkëfinancohet me kredi të dhëna nga Banka Evropiane e Investimeve dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, një grant i Bashkimit Evropian dhe qeverisë shqiptare dhe kosto totale, siç  vlerësohet  nga  Banka,  është 415,000,000.00 euro duke përfshirë rastet e paparashikuara.

Gazetar: Omer Saraçi

/rtsh.al/