RTSH 24 Live

Aktualitet

Gjirokastra, destinacioni i preferuar për turistët

13 orë para

Gjirokastra, destinacioni i preferuar për turistët

Gjirokastra ka mirëpritur një numër të lartë turistësh këtë fundjavë, si vendas ashtu edhe të huaj. Pavarësisht se jemi ende në fillim të marsit, rrugicat e qytetit të gurtë janë mbushur me vizitorë që kanë ardhur për të zbuluar historinë dhe kulturën e  qytetit të gurte. Turistët vendas por edhe të huaj kanë zgjedhur për të vizituar Gjirokastrën duke u ndalur në atraksionet kryesore të qytetit.

“Vendosëm të bëjmë një udhëtim në Shqipëri dhe nuk mund të linim pa vizituar edhe Gjirokastrën. Është një qytet shumë i bukur, vizituam kalanë, pazarin dhe do shohim edhe muzetë e tjera se duam të mësojmë më shumë mbi këtë qytet të bukur”, tha një turist i huaj.

“Kam punuar këtu dhe kam nostalgji, më pëlqen Gjirokastra”, u shpreh një turist vendas.

Vizitorët shprehen të mahnitur nga bukuria e arkitekturës tradicionale dhe mikpritja e banorëve.

“Vij nga Greqia dhe është e hera e parë që vizitoj Gjirokastrën. Në fakt pendohem që nuk kam ardhur më parë. Ka një arkitekturë të veçantë, me ndërtesa historike. Ushqimi është shumë i mirë dhe njerëzit na kanë pritur ngrohtë. Do të rikthehem sërish në këtë qytet”, tha një turiste e huaj.

Interesi i lartë për Gjirokastrën edhe në këtë periudhë tregon se qyteti po shndërrohet në një destinacion të qëndrueshëm turistik gjatë gjithë vitit. Me një kombinim të historisë, kulturës dhe natyrës, Gjirokastra vazhdon të tërheqë vizitorë nga e gjithë bota.

/RTSH/