RTSH 24 Live

Aktualitet

Elbasani nis festimet për Ditën e Verës

11 orë para

Elbasani nis festimet për Ditën e Verës

Kryeqyteti i pranverës ka nisur festimet për Ditën e Verës, duke e kthyer qytetin në një skenë të gjallë plot muzikë, ngjyra dhe atmosferë festive.

Si çdo vit, Elbasani mirëpret mijëra vizitorë nga e gjithë Shqipëria, të cilët bashkohen në një festë që mishëron traditën, kulturën dhe gëzimin e ardhjes së pranverës.

Festimet u hapën me aktivitetin "Trashëgimia në duart e vogla", ku fëmijët e kopshteve të qytetit shfaqën talentin e tyre përmes lojërave tradicionale, punimeve artistike dhe këngëve festive.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, në fjalën e tij përshëndeti të pranishmit dhe theksoi se këtë vit festimet do të zgjasin një javë, me një program të pasur që kulmon më 15 Mars, kur qyteti do të kthehet në një arenë të madhe festive.

Elbasani e jeton ndryshe Ditën e Verës dhe këtë vit kemi zgjeruar aktivitetet për ta bërë këtë festë edhe më të veçantë. Nga defiletë e kostumeve tradicionale, koncertet e mëdha, ekspozitat dhe panairet e kulinarisë, deri tek aktivitetet për fëmijë dhe të rinj, Elbasani do të jetë epiqendra e festimeve pranverore”, tha ai.

Për qytetarët e Elbasanit atmosfera e deri tanishme duket premtuese teksa tregojnë sesi e kanë kaluar ditën e verës një vit më parë.

Në mbrëmjen e 12 marsit rikthehet Defileja e Kostumeve Tradicionale, një paradë që do të sjellë në skenë kulturën dhe folklorin e trevave shqiptare.

Ndërsa  13 marsi do të sjellë atmosferën e zjarrtë të Natës së Verës, ku koncertet dhe performancat artistike do të zgjasin deri në orët e para të mëngjesit.

Në 14 Mars, një program i pasur me aktivitete do të kulmojë me super koncertin e mbrëmjes, ndërsa më 15 dhe 16 Mars festimet do të vijojnë me aktivitete për fëmijë, panaire tradicionale dhe evente kulturore.

/rtsh.al/