RTSH 24 Live

Sport

Futboll/ Shqipëri-Poloni, historia favorizon polakët

09/09/2023

Futboll/ Shqipëri-Poloni, historia favorizon polakët

Shqipëria dhe Polonia kanë një histori 53-vjeçare takimesh midis tyre, me Poloninë dukshëm superiore në rezultatet e arritura. 

Nga 12 ndeshje të luajtura, përfshirë edhe dy miqësore, kuqezinjtë nuk kanë fituar asnjëherë.

Ata knë arritur vetëm dy barazime, 1-1 më 1971 dhe të famshmin 2-2 më 1984, atëherë kur, ashtu si sot, dy skuadrat luftonin për të kaluar grupin.

Një nga skuadrat më të mira të viteve ’70, Polonia fitoi përballjen e parë me Shqipërinë 3-0 më 1970, për kualifikueset e Euro ‘72, ndërsa në Tirana Medin Zhega shënoi në barazimin 1-1. 

Me polakët jemi ndeshur 12 herë, por në kujtesën e tifozëve shqiptarë janë stampuar ato dy për kualifikueset e botërorit meksikane, kur Shqipëria për herë të parë synonte kalifikimin. 

Përballë një skuadre yjesh, Shqipëria barazonte 2-2 në Mielec, falë golit me thembër të Bedri Omurit dhe atij të Agustin Kolës. 

Ëndrra u shua një vit më pas në Tiranë, kur Boniek shënoi golin e vetëm në portën e Mustës. 

Që atëherë kemi njohur vetëm humbje, më e thella dy vjet më parë, 4-1 në Poloni. 

Të dielën në mbrëmje, Shqipëria synon fitoren, jo thjesht për të thyer akullin ndaj një kundërshtari të fortë, por mbi të gjitha për të hedhur hapin e madh drejt Gjermanisë. 

Sipas FSHF biletat për takimin në "Air Albania" janë shitur të gjitha.

Do të jenë 20 mijë tifozë për të mbështetur kuqezinjtë në këtë sfidë.

/rtsh.al/