RTSH 24 Live

Rajon

Fushata zgjedhore në Maqedoninë e Veriut, subjektet politike nisin garën për zgjedhjet parlamentare të 8 majit

18/04/2024

Fushata zgjedhore në Maqedoninë e Veriut, subjektet politike nisin garën për zgjedhjet parlamentare të 8 majit

Në Maqedoninë e Veriut ka nisur fushata për zgjedhjet parlamentare të 8 majit, ndërkohë, që deri më 22 prill vijon fushata për zgjedhjet presidenciale. Fushata për zgjedhjet e përgjithshme do të zhvillohet edhe gjatë heshtjes zgjedhore për garën presidenciale që mbahet më 24 prill.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, që drejtohet nga Talat Xhaferi, vendosi një ditë më parë që datat 24 prill dhe 8 maj të jenë ditë pushimi në mënyrë që të gjithë qytetarët të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën kushtetuese për të votuar. Qeveria e përkohshme që drejtohet për herë të parë nga një kryeministër shqiptar është ngarkuar me organizimin e dy palë zgjedhjeve.

“Fronti Evropian” dhe koalicioni “VLEN” janë dy formacionet politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, që do të garojnë në zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare, që mbahen më 24 prill dhe 8 maj. Ministri i Jashtëm Bujar Osmani garon për “Frontin Europian” që drejtohet nga partia Bashkimi Demokratik për Integrim e Ali Ahmetit ndërsa kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari do të përfaqësojë koalicionin opozitar “VLEN”.

Gazetare: V. Zhari

/RTSH/