RTSH 24 Live

Rajon

Zgjedhjet e dyfishta në Maqedoninë e Veriut, BE pret proces të rregullt dhe demokratik më 8 maj

28/04/2024

Zgjedhjet e dyfishta në Maqedoninë e Veriut, BE pret proces të rregullt dhe demokratik më 8 maj

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Dejvid Gir tha se blloku pret të ketë zgjedhje demokratike në Maqedoninë e Veriut më 8 maj. “Sipas raportit paraprak të misionit të OSBE/ODIHR-it, raundi i parë i zgjedhjeve ishte i qetë. Shpresojmë që në raundin e dytë dhe në fushatën për zgjedhjet parlamentare, të gjithë të angazhohen për të përfunduar procesin përmes mesazheve pozitive”, u shpreh ai.

Duke mos dashur të komentojë zërat se mund të ketë bojkot të zgjedhjeve presidenciale nga LSDM që në 8 maj të mos arrihet pragu prej 40 për qind të pjesëmarrjes, Ger u shpreh se është në dorën e qytetarëve që të vendosin për të ardhmen e vendit. Shtatë kandidatë garuan në raundin e parë, në të cilëve edhe dy shqiptarë Bujar Osmani dhe Arben Taravari.

Ata nuk arritën të fitonin vota të mjaftueshme për të kaluar në raundin e dytë, ndërsa më 8 maj do të përballen Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska Davkova  Kandidati i LSDM-së Pendarovski mohoi akuzat e opozitës se ai do të bojkotonte raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe u shpreh i bindur se do të jetë fitues.

Ndërsa kandidatja e opozitës për presidente Davkova, që fitoi shumicën në zgjedhjet e 24 prillit, u bëri thirrje qytetarëve ta përdorin votën si mjet për të marrë vendime të rëndësishme. “Më 8 maj pres vullkan politik”- u shpreh ajo gjatë fushatës. Ndërkohë subjektet politike në Maqedoninë e Veriut vijojnë edhe fushatën për zgjedhjet parlamentare.

/RTSH/