RTSH 24 Live

Politikë

Opozita protestë para Bashkisë Tiranë, hidhet sërish molotov

14/05/2024

Opozita protestë para Bashkisë Tiranë, hidhet sërish molotov

Opozita dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kanë zhvilluar edhe këtë të martë (14 maj) një protestë me incidente para Bashkisë Tiranë, ku kërkohet dorëheqja e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Gjatë fjalës së organizatorëve para protestuesve, në drejtim të derës së bashkisë është hedhur sërish molotov.

Drejtuesi i këshilltarëve të opozitës në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Dorjan Teliti tha se protestat do të vazhdojnë deri në largimin e Erion Veliajt dhe Edi Ramës.

“Kjo bashki mbyllet me zinxhirë se nuk kanë kurajo të përballen me shkeljen që kanë bërë. Kjo është bashkia që ka hedhur në kosh të plehrave të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë. Ne nuk tërhiqemi, do të qëndrojmë këtu çdo javë gjer në arritjen e objektivit, vendosjen përpara drejtësisë të atyre që kanë kryer aferat korruptive. Jemi betuar në Kushtetutë dhe flamur se mbrojtja e interesit të qytetarëve është misioni ynë i vetëm.

Të ndalojmë abuzimin me të ardhmen e fëmijëve tonë. Qëndresa është këtu, Tirana është këtu, Shqipëria do jetë këtu gjer në dorëheqjen e Erion Veliajt dhe shefit të tij, kryeministrit Edi Rama” tha Teliti.

Edhe në protesta e shkuara opozita ka shkaktuar incidente duke hedhur molotov, është përplasur edhe me efektivët për të prishur gardhin e tyre rrethues.

Opozita dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj pas arrestimit të 3 ish-drejtorëve të Bashkisë dhe përfshirjes së tyre në dosjen “5D”.

/rtsh.al/