RTSH 24 Live

Rajon

Tha “Maqedoni” gjatë betimit, Bullgaria kritikon presidenten e re Siljanovska: E papranueshme, zbato marrëveshjet

13/05/2024

Tha “Maqedoni” gjatë betimit, Bullgaria kritikon presidenten e re Siljanovska: E papranueshme, zbato marrëveshjet

Udhëheqësit e Bullgarisë dhe Greqisë kanë kritikuar Presidenten e re të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, pasi ajo iu referua vendit të saj si "Maqedoni" në ceremoninë e saj të betimit më 12 maj në Kuvend.

Siljanovska-Davkova gjatë fushatës së saj elektorale kishte thënë se nuk do ta përdorë pjesën “Veriu” të emrit të vendit të saj. Vendi ndryshoi kushtetutën e tij në 2018 për t'i dhënë fund një mosmarrëveshjeje të gjatë me Greqinë mbi përdorimin e emrit "Maqedoni". Përfundimi i mosmarrëveshjes i hapi rrugën vendit për t'u bashkuar me NATO-n.

Lidhur me rastin kryeministri në detyrë dhe ministri i jashtëm i Bullgarisë Dimitar Glavçev tha se Bullgaria nuk pranon deklarata dhe sjellje që bien ndesh me Traktatin e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të vitit 2017.

“Bullgaria në mënyrë të përsëritur dhe qartë e ka shprehur qëndrimin e saj se marrëveshjet duhet të zbatohen në mënyrë rigoroze,” tha Glavçev.

Ai tha se Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s “nga e cila burojnë detyrimet dhe përgjegjësitë përkatëse”.

“Ne jemi të bindur se perspektiva evropiane e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të varet tërësisht nga zbatimi gjithëpërfshirës i marrëveshjeve të korrikut 2022 të miratuara nga të gjithë”, tha Glavçev.

Presidenti bullgar Roumen Radev kritikoi deklaratat e homologes Siljanovska ku tha se “Bullgaria nuk pranon deklarata dhe sjellje që bien ndesh me Traktatin e Miqësisë si dhe marrëveshjet e tjera ndërkombëtare që ka nënshkruar Republika e Maqedonisë së Veriut”.

“Bullgaria në mënyrë të përsëritur dhe qartë e ka shprehur qëndrimin e saj se traktatet duhet të zbatohen. Kujtoj gjithashtu se Republika e Maqedonisë së Veriut është anëtare e NATO-s, nga e cila burojnë obligimet dhe përgjegjësitë përkatëse. Jam i bindur se perspektiva evropiane e Republikës së Maqedonisë së Veriut varet nga zbatimi i rreptë i traktateve ndërkombëtare në të cilat është palë, si dhe nga korniza negociuese e miratuar nga Këshilli Evropian në korrik 2022, e cila, për informim. të institucioneve përgjegjëse në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nuk do të rishikohen”, tha Radev.

/rtsh.al/