RTSH 24 Live

Zgjedhjet në SHBA

Fushata presidenciale në Uiskonsin, Tramp: Humbas vetëm nëse vidhen votat

2 orë para

Fushata presidenciale në Uiskonsin, Tramp: Humbas vetëm nëse vidhen votat

Kandidatja demokrate Kamala Harris gjatë fushatës në Uisconsin, një nga shtatë shtetet kyçe që pritet të vendosë për zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke akuzuar rivalin republikan që kërkon pushtet të pakontrolluar, tha se ky shtet do të bëjë ndryshimin më 5 nëntor. 

Kanë mbetur edhe pak ditë deri në zgjedhjet ndoshta më të rëndësishme të jetës sonë. Ne kemi nevojë që të gjithë të dalin të votojnë. Uiskonsini do të bëjë ndryshimin në këto zgjedhje. Ne do të fitojmë!” u tha znj. Harris mbështetësve, ndërsa diskutoi me ta për kujdesin shëndetësor.

Më shumë se 70 milionë njerëz kanë votuar paraprakisht, ndërsa dy kandidatët mbeten në një garë të ngushtë sipas sondazheve.

Ndërkohë, ish-presidenti Donald Tramp (o. Trump) u është rikthyer pretendimeve për mashtrime zgjedhore. Kandidati republikan tha se e vetmja mënyrë që ai mund t'i humbë këto zgjedhje të martën është përmes vjedhjes së votave. Të njëjtin pretendim ai e pati katër vjet më parë, kur presidenti i SHBA-së, Xho Bajden (o. Joe Biden), e mundi në zgjedhjet e vitit 2020.

Vetëm sigurohuni që të votoni. Dhe nëse shihni dikë duke mashtruar, ju e dini se çfarë të bëni. Raportoni menjëherë,” i tha ai mbështetësve në Uiskonsin.

Demokratët pritet të mobilizohen nëse ish-presidenti Tramp shpall fitoren e parakohshme pas zgjedhjeve më 5 nëntor. Ata raportohet se do të përdorin mediet dhe platformat e rrjeteve sociale për të bërë thirrje për qetësi dhe durim deri në numërimin e të gjithave votave.

Ndërkohë shteti i Uashingtonit, ku më herët u dogj edhe një kuti votimi, po aktivizon disa anëtarë të Gardës Kombëtare për të qenë në gatishmëri, pasi ka marrë informacione për ngjarje mundësisht të dhunshme në ditën e zgjedhjeve.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/