RTSH 24 Live

Sociale

Furra 200 vjeçare e Premtos,simboli i Pazarit Karakteristik të Gjirokastrës

21/01/2021

Furra 200 vjeçare e Premtos,simboli i Pazarit Karakteristik të Gjirokastrës

Furra historike e Premtos në pazarin tradicional të Gjirokastrës, prej më shumë prej dy shekujsh ndizet çdo mëngjes për të mbushur me aromë buke, byreku e ëmbëlsirash qendrën e qytetit të vjetër. Furra edhe sot njihet prej emrit të usta Premtos, bukëpjekësit të njohur të qytetit që e morri furrën me qira në kohën e monarkisë dhe i dhuroi shije tradicionale qytetit për disa dekada. Kujtim Shehu, pronari i objektit historik, thotë se paraardhësit e tij e ndërtuan furrën më shumë se 200 vite më parë dhe është mundësi jetese për familjen Shehu.Ndërkohë kjo furrë sipas Shehut është një prej stacioneve më interesante për turistët që vizitojnë Gjirokastrën.

"Kjo furrë është hapur prej krijimit të Pazarit rreth 200 vjet më parë nga paraardhësit e mi të cilët ishin nga familjet më të njohura gjirokastrite dhe kishin mbi 10 dyqane në këtë zonë.Emrin Premto e ka marrë nga një bukëpjekës i cili e kishte marrë furrën me qira gjatë kohës së monarkisë dhe prej kësaj kohe i ka ngelur emri ndër vite.Furra në fjalë është bërë atraksion pasi turistë vendas dhe të huaj e vizitojnë shpesh.Ndërhyrjet gjatë viteve të fundit që kjo furrë të mbetet funksionale janë bërë me forcat tona"

Silvana, bashkëshortja e Kujtimit, thotë se furra vijon të marrë porosi për pjekje nga qytetarët në Gjirokastër, por atmosfera e festave është ndier më pak këtë vit. Furra që dikur piqte qindra bakllava gjatë fundvitit, po e redukton këtë funksion vitet e fundit. 

"Tani ky vit për shkak dhe të pandemisë kanë ardhur më pak njerëz për të sjellë bakllavatë dhe lakrorë për ti pjekur.Kjo furrë tradicionalisht është shquar për gatimet gjirokastrite,faktor ky që mahnit vizitorët që vijnë për të parë Gjirokastrën"

Furra qindravjeçare me sipërfaqe rreth 20 metra katror, nuk ka njohur asnjë ndërhyrje restauruese për më shumë se 100 vite, por vijon të ruajë gjendje shumë të mirë. Ende është mister çfarë janë dhe nga kanë mbërritur gurët që veshin harkun e kupolës së furrës por furra vijon të ruajë një temperaturë të lartë edhe kur zjarri shuhet. Furra e Premtos, që të gjithë e njohin në Gjirokastër, mbetet mes simboleve të pazarit dhe qendrës historike të qytetit.