RTSH 24 Live

Aktualitet

Fshati Mursi pjesë e projektit “100 Fshatrat”

7 orë para

Fshati Mursi pjesë e projektit “100 Fshatrat”

Fshati Mursi në jug të qytetit të Sarandës është pjesë e  programit “100 Fshatrat”. Në këtë fshat  vazhdojnë punimet për rehabilitimin e rrugës hyrëse dhe sheshit qendror. 

Programi i “100 fshatrave” i hartuar nga qeveria shqiptare është një program energjizimi i të gjitha atyre pikave dhe komponentëve që e bëjnë të veçantë fshatin shqiptar.

“Ky nuk është një program i ndërtimit të rrugëve rurale, por është një program energjizimi i të gjitha atyre pikave dhe komponentëve që e bëjnë të veçantë fshatin shqiptar dhe që përkthejnë ambicien tonë për të pasur një zhvillim turistik të në Shqipërinë rurale në destinacione konkrete të eksplorimit në shumë dimensione të organizmit shumë të pasur të Shqipërisë”, është shprehur më herët kryeministri shqiptar Edi Rama.

Mursia është ndërtuar mbi një kodër të ulët, e rrethuar me male, fusha dhe liqen. Ai ndodhet 20 km nga qyteti i Sarandës dhe 7 km nga qyteti arkeologjik i Butrintit. Fshati është 8 km nga kufiri me Greqinë, në Qafë Botë.

Në Mursi realizohen veprimtari të ndryshme. Zhvillim tepër të suksesshëm kanë prodhimet bujqësore, klima dhe banorët punëtorë të fshatit kanë realizuar mbjelljen dhe prodhimtarinë e shumë parcelave me manderina, portokajë dhe limona.
 
Kultura e fshatit është larmishme, organizohen aktivitete të fushave të ndryshme, folklorike, rituale fetare për të cilat janë tre kisha të cilat iu përkasin kohërave jo të njëjta dhe sigurisht ” Festa e mandarinës”.

Një ditë në Mursi bëhet edhe më e plotë me një shëtitje anës së liqenit, i cili plotëson imazhin e përsosur për një ditë fantastike. Sidomos në këtë stinë që aroma e mandarinave dhe frutave të tjera e bën atmosferën shumë entuziasmuese. 

 

/ rtsh.al /